Kapiteni i Interit njoftoi në rrjetet sociale se do të ndryshojë mënyrën e firmosjes së autografeve: “Një identitet ndërtohet me kalimin e kohës. Forcohet në çdo hap dhe njihet në çdo detaj”.
Lautaro Martínez po rikuperohet nga një dëmtim dhe më në fund sheh dritë në fund të tunelit. Gjatë pushimit të kampionateve, sulmuesi argjentinas do të rrisë ngarkesën stërvitore, me synimin të jetë gati për ndeshjen ndaj Atalantës në Bergamo, në rikthimin e Serie A. Sezonin e kaluar, ai vendosi atë përballje me një gol.
Ndërkohë, Lautaro publikoi në Instagram një mesazh ku prezantoi firmën e tij të re. Disa tifozë të Interit menduan fillimisht se bëhej fjalë për një rinovim të kontratës, por nuk ka asnjë lidhje me këtë. Kapiteni thjesht ka vendosur të ndryshojë autografin që e ka përfaqësuar prej kohësh.
“Një identitet ndërtohet me kalimin e kohës. Forcohet në çdo hap dhe njihet në çdo detaj. Firma ime e re. Thelbi im, gjithmonë”, – shkroi ai.







