Një studiues pretendon se Verika ishte “padiskutueshëm” grua, por provat çojnë në drejtimin tjetër.

Nga: Levi Roach / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com


Këtë javë u zgjuam me lajmin se arkeologët e Universitetit të Bornmuthit kishin bërë një zbulim befasues: sundimtari i famshëm kelt Verika ishte në të vërtetë grua! Sipas Dr. Miles Russellit, i cili udhëhoqi kërkimin: “Verika jo vetëm që ishte vendimtare për marrëdhënien e veçantë mes Britanisë dhe Romës në shekullin I pas Krishtit, por ishte padiskutueshëm grua”,

Ky është një pretendim i madh, me pasoja të rëndësishme për historinë e ishullit tonë. Fatkeqësisht, prova “e padiskutueshme” e paraqitur nga Dr. Russell është shumë larg asaj që do të nevojitej për ta vërtetuar këtë.

Në thelb, teza e tij përbëhet nga dy fakte. I pari është forma e emrit të Verikës, siç gjendet në monedhat e tij. Në keltishten e hershme, emrat e burrave zakonisht mbarojnë me -os, -is ose -rix. Një mbaresë me -a, si te Verika, mund të tregojë se bartësi i emrit ishte grua. Diçka e ngjashme vlen edhe për latinishten, gjuhën në të cilën ishin shkruar mbishkrimet në monedhat e Verikës. Këtu, emrat e burrave zakonisht mbarojnë me -us, -ius ose -er, ndërsa emrat e grave shpesh mbarojnë me -a (p.sh. Klaudi-us kundrejt Klaudia-s).

E dyta është se disa prej këtyre monedhave mbajnë figurën e një gruaje mbi kalë, në të njëjtën anë ku ndodhet edhe emri i Verikës. Kësaj mund t’i shtohet edhe një pikë më e gjerë për rolin e rëndësishëm që luanin gratë në shoqërinë britanike të Epokës së Hekurit, rol që ndonjëherë mund të përfshinte edhe marrjen e pozitave udhëheqëse (siç shohim më vonë me Budikën).

Përtej këtyre copëzave të informacionit, ka fare pak mbi të tjera te të cilat mund të mbështetet një hipotezë kaq e gjerë. Njohuritë tona për praktikat e hershme kelte të emërtimit janë larg së qenit të përsosura, por sigurisht ka burra galë që mbanin emra me temë në -a, ku do të bënte pjesë edhe Verika. Kishte gjithashtu një numër të vogël, por domethënës, emrash latinë të burrave që mbaronin me -a, përfshirë Agripa dhe Sula.

Ikonografia e monedhave të Verikës është po aq e hapur ndaj interpretimeve të tjera. Imazhet në monedhat e lashta dhe mesjetare nuk kishin gjithmonë për qëllim të paraqisnin sundimtarin e përmendur me emër. Edhe kur e bënin këtë, ato synonin më pak të ishin riprodhime besnike të pamjes së tij sesa përmbledhje simbolike të autoritetit të individit.

Prandaj, ekziston një rrezik i konsiderueshëm në nxjerrjen e përfundimeve për pamjen e një sundimtari mbi bazën e monedhave të tij. Në rastin e Verikës, disa monedha që mbajnë emrin e mbretit vërtet duket se paraqesin një figurë femërore mbi kalë. Të tjerat, megjithatë, paraqesin një burrë mbi kalë, ndërsa të tjerat paraqesin një burrë me veshje priftërore. Nuk ka asnjë bazë të fortë metodologjike për të menduar se të parat paraqesin pamjen reale të Verikës, e të fundit jo.

Përballë kësaj duhet vendosur dëshmia aspak e papërfillshme në favor të interpretimit tradicional. Përveç monedhave që sapo u përmendën, kjo përfshin faktin se historiani romak Dio Kasi mendonte se Verika ishte burrë, duke e dhënë emrin e tij si “Beriko” në greqisht.

Megjithatë, më e rëndësishmja është dëshmia e mbishkrimeve në vetë monedhat e Verikës. Si sundimtar klient i Perandorisë Romake, Verikës me të drejtë i jepej titulli zyrtar latin rex, që do të thotë mbret. Një numër monedhash që kemi - përfshirë ato që me sa duket paraqesin një figurë femërore - e titullojë Verikën në këtë mënyrë. Kjo është e rëndësishme, sepse ekzistonte një formë krejt e rregullt femërore e rex, përkatësisht regina, domethënë “Mbretëreshë”.

Dr. Russell këmbëngul se rex ishte një titull diplomatik i përgjithshëm që u jepej sundimtarëve klientë të Perandorisë Romake në këtë periudhë, pavarësisht gjinisë. Megjithatë, për momentin, ky është një pohim që ende kërkon prova. Sigurisht, ky titull nuk përdoret kurrë në këtë mënyrë në korpusin e gjerë të letërsisë klasike latine.

Për më tepër, Russelli e kundërvë rex-in, që sipas tij ishte neutral ndaj gjinisë, me regis-in qartësisht mashkullor, por ky i fundit është thjesht forma gjinore e të njëjtit emër dhe do të thotë “i mbretit”. Kjo është e barasvlershme logjikisht me shpalljen e përemrit modern anglez “he” si neutral ndaj gjinisë, ndërsa njëkohësisht pranohet se “his” është haptazi mashkullor. Disa mund të binden; gjuhëtarët, me gjasë, jo.

Në një kohë kur gratë, me të drejtë, zënë një vend të rëndësishëm në politikë, është joshëse që këtë prani ta projektojmë prapa në burimet tona historike. Megjithatë, kjo do të jetë bindëse vetëm nëse e bëjmë me kujdes dhe me rigorozitet metodologjik. Çdo gjë tjetër është thjesht dëshirë e marrë për realitet.

Mbretërimi i Verikës kishte rëndësi të konsiderueshme. Pas shumë vitesh në fron, ai u rrëzua nga fqinjët e tij lindorë, Katuvellauni, në vitin 42 pas Krishtit. Si përgjigje, iu drejtua aleatëve të tij romakë, dhe rezultati ishte pushtimi romak dhe nënshtrimi i Britanisë jugore që nisi vitin pasues.

Por, a është e mundur që Verika të ketë qenë grua? Ndoshta. A është e mundshme? Fatkeqësisht, jo. /Telegrafi/