Ky është 50-vjeçari i dyshuar për grabitjen e bankës në Tiranë, vodhi 60 mijë euro në vetëm 3 minuta
Vizion Plus ka siguruar foton e Robert Duka alias Albert Duka, i dyshuar për grabitjen e bankës së nivelit të dytë në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Robert Duka, 50 vjeç, nga Vlora, u arrestua nga policia rreth një javë pas ngjarjes.
Grabitja ndodhi paraditen e së hënës, më 2 nëntor. Sipas dyshimeve të hetuesve, Duka hyri në ambientet e bankës i armatosur dhe me skafandër në kokë, me qëllim shmangien e identifikimit.
Fillimisht, ai kërcënoi rojën e sigurisë dhe më pas arkëtaren, e cila, nën kërcënimin e armës, i dorëzoi shumën prej 60 mijë eurosh.
Pas marrjes së parave, 50-vjeçari u largua nga vendngjarja me një skuter elektrik. E gjithë grabitja dyshohet se zgjati rreth tre minuta.
Pas hetimeve dhe analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, policia arriti të identifikojë të dyshuarin dhe ta arrestojë pranë rrugës së Kosovarëve në kryeqytet.
Ndërkohë, hetuesit dyshojnë se Robert Duka mund të jetë i përfshirë edhe në një tjetër grabitje banke, të ndodhur në qershor në të njëjtën zonë, në Komunën e Parisit.
Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe verifikimin e mundësisë së përfshirjes së 50-vjeçarit në episode të tjera kriminale.




