Reforma Zgjedhore rikthen në tryezë Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike, ndërsa opozita ka bërë të qarta kushtet e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka deklaruar se listat e hapura për zgjedhjet parlamentare dhe për këshillat bashkiakë janë një kërkesë e panegociueshme për opozitën.

Në deklaratën e tij, Berisha akuzoi bashkëkryetarin socialist të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, se po përpiqet të përcaktojë në mënyrë të njëanshme axhendën e punimeve, pa marrë miratimin e bashkëkryetarit nga opozita.

Sipas Berishës, kjo mënyrë veprimi bie ndesh me ligjin dhe vendimin e Parlamentit për ngritjen e komisionit, pasi vendimmarrja në të duhet të bëhet me veto. Ai tha se opozita nuk e pranon axhendën e propozuar, pasi në të janë përfshirë edhe çështje që lidhen me reformën territoriale.

Berisha u ndal edhe te sistemi i listave zgjedhore, duke theksuar se opozita nuk pranon lista të mbyllura për këshilltarët bashkiakë apo për deputetët. Ai pretendoi se hapja e listave është kërkesë e përbashkët e partive opozitare.

“Në kundërshtim me ligjin, vendimin e Parlamentit për Komisionin e Reformës Zgjedhore, ka përcaktuar në mënyrë të njëanshme axhendën për të hedhur në erë komisionin. Vendmmarrja në komision është me veto. Vegla e Ramës, Damian Gjiknuri, pa votën e bashëkryetarit tjetër kërkon të miratojë axhendën, që pala jonë nuk e pranon pasi janë vendosur pika për Reformën Territoriale.

Ata refuzojnë që listat për këshilltarët e bashkive të jenë të hapura. Kjo është një kërkesë e të gjitha partive politike opozitare. Ne në mënyrë kategorike nuk pranojmë asnjë listë veç asaj të hapur, për këshilltarë dhe listë plotësisht të hapur për Parlamentaret”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb