Aktori dhe komediani britanik Russell Brand është paraqitur këtë të hënë në Gjykatën e Southuark në Londër, ku pritet të shpallet dënimi ndaj tij për veprat penale të përdhunimit dhe sulmit seksual.

Brand mbërriti në sallën e gjyqit i veshur me një kostum blu të errët, ndërsa flokët i kishte të lidhur topuz. Në momentin që hyri në kafazin prej xhami ku qëndrojnë të pandehurit, ai u kthye për të parë bashkëshorten e tij, Laura Brand, së cilës i drejtoi disa fjalë pa zë, përpara se të ulej në vendin e tij.

Salla e gjyqit ishte e mbushur me rreth 70 persona, ndërsa seanca nisi me vonesa për shkak të masave të marra nga autoritetet për të garantuar anonimitetin e viktimave. Në sallë u vendosën disa ekrane mbrojtëse, në mënyrë që Brand, mbështetësit e tij dhe publiku të mos kishin mundësi të shihnin vendin ku do të dëshmonin viktimat.

Gjatë seancës pritet të paraqiten deklaratat e katër grave që lidhen me çështjen, të cilat do të kenë mundësinë të tregojnë se si kanë ndikuar në jetën e tyre veprat penale të kryera nga aktori. Njëra prej tyre pritet të lexojë personalisht deklaratën në gjykatë, ndërsa të tjerat do të përcillen përmes prokurorisë.

Këto deklarata janë pjesë e rëndësishme e procesit të caktimit të dënimit, pasi gjyqtari do t’i marrë parasysh për të përcaktuar masën e ndëshkimit.

Sipas raportimeve nga gjykata, Russell Brand nuk ka shfaqur emocione, duke qëndruar i përqendruar dhe me vështrimin drejt gjyqtarit. Ai mbylli sytë për pak çaste, ndërsa gjyqtari shpjegonte zhvillimin e seancës.

Gjyqtari bëri të ditur se synon të shpallë vendimin përfundimtar në orën 14:00 sipas orës lokale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb