Situata me cilësinë e ujit të pijshëm në qytetin e Vlorës po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese. Pas konstatimit të pranisë së amoniakut dhe mungesës së klorit në analizat e ujit të dy zonave të qytetit, rezultatet e analizave të tjera kanë evidentuar edhe ndotje fekale.
Korespodenti i Syri TV për Vlorën, Gentjan Këllçiu raporton se situata ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë e ujit që konsumojnë dhe përdorin çdo ditë banorët e qytetit bregdetar.
Pas publikimit të rezultateve të analizave, institucionet përgjegjëse kanë reaguar dhe kanë dalë në terren për të verifikuar situatën. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë e qartë se cilat janë burimet e ndotjes, sa është përhapur problemi dhe nëse uji që furnizon familjet plotëson standardet e sigurisë.
Shqetësimi shtohet edhe më shumë nga gjendja higjieno-sanitare e depozitave të ujit në pallatet e Vlorës. Pamjet nga pastrimi i njërës prej tyre tregojnë kushte alarmante, duke ngritur dyshime mbi mënyrën se si mirëmbahet uji përpara se të mbërrijë në rubinetat e banorëve.
Problematika nuk kufizohet vetëm te përdorimi i ujit për konsum të drejtpërdrejtë. Ai përdoret çdo ditë për larjen e enëve, përgatitjen e ushqimit, dushin dhe higjienën personale, çka e bën cilësinë e tij një çështje të drejtpërdrejtë të shëndetit publik.
Prania e amoniakut dhe ndotjes fekale, e kombinuar me mungesën e klorit të konstatuar në analizat e publikuara, kërkon një verifikim të plotë dhe transparencë nga institucionet përgjegjëse.
Qytetarët presin përgjigje konkrete: A është i sigurt uji që mbërrin në banesat e tyre, cilat janë burimet e ndotjes dhe çfarë masash do të merren për të garantuar furnizimin me ujë të pastër?
© SYRI.net
Studimi i Gallup: Mbi dy orë në rrjete sociale lidhen me më shumë stres e vetmi, edhe në Shqipëri
Pas Vlorës, edhe Lushnja me ujë të ndotur në rubineta/ Korreshi: Bashkia ka hapur parfumeri falas
‘Uji i pijshëm në Vlorë, i ndotur’, eksperti Dumani: Zhvendosja e kopshtit në ambient privat, shqetësues!