Çmimet rriten sërish, Inflacioni kërcen në tetor në 3.4%, nga ushqimet dhe nafta

Inflacioni ka kërcyer sërish në 3.4% në tetor, pasi ishte ngadalësuar sërish në 2.9% një muaj më parë, duke sinjalizuar një përshpejtim të rritjes së çmimeve, sidomos të ushqimeve dhe transportit.
Sipas INSTAT, Norma e inflacionit e matur me Indeksin e Çmimeve të Konsumit (IÇK) në muajin Tetor 2026 ishte 3,4 për qind, nga 2,3 për qind në Tetor 2025. Krahasuar me muajin Shtator 2026, çmimet e konsumit u rritën me 0,5 për qind.
Nga maji 2026, inflacioni në vend arriti objektivin e shënjestruar të Bankës së Shqipërisë prej 3%, duke qëndruar mbi këto nivele deri në gusht (3.2%), ndërsa niveli m ëi lartë u arrit në korrik prej 3.4%. në shtator, inflacioni zbriti sërish nën nivelin e shënjestruar, në 2.9%, vetëm për të kërcyer sërish në tetor në 3.4%.
Sipas INSTAT, Rritja vjetore e çmimeve në muajin Tetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,36 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +0,73 pikë përqindje.
Gjithashtu, çmimet e grupit “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” ndikuan me +0,56 pikë përqindje, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,17 pikë përqindje, çmimet e grupit “Argëtim, sport dhe kulturë” me +0,15 pikë përqindje, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,14 pikë përqindje, çmimet e grupit “Restorante dhe shërbime akomodimi” me +0,11 pikë përqindje, çmimet e grupit “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me +0,10 pikë përqindje, çmimet e grupit “Sigurime dhe shërbime financiare” me +0,07 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,06 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,05 pikë përqindje.
Nga ana tjetër çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” ndikuan me -0,10 pikë përqindje dhe çmimet e grupit “Informacioni dhe komunikimi” me -0,04 pikë përqindje.
Në mbledhjen e fundit, Banka e Shqipërisë, që është përgjegjegjëse për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë në nivelin e 2.5%. ndryshe nga eurozona që i ka rritur normat bazë dy herë këtë vit, në Shqipëri, niveli ka mbetur i pandryshuar, që nga korriku 2025, kur u ul me 0.25 pikë përqindje,
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se informacioni i ri tregon se mjedisi ndërkombëtar është karakterizuar nga një rritje e shpejtë dhe me bazë të gjerë e presioneve mbi inflacionin gjatë muajve të fundit. Në veçanti, rritja e çmimeve të naftës e të burimeve të tjera të energjisë ka kontribuuar në rritjen e inflacionit dhe rritjen e faturës së importit të partnerëve tanë tregtarë.
“Këto zhvillime janë pasqyruar në rritjen e çmimeve në Shqipëri. Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi vlerën 3.2% gjatë tremujorit të tretë, nga 3% në tremujorin e dytë, kryesisht si pasojë e rritjes së çmimeve të karburanteve dhe të disa produkteve ushqimore të papërpunuara. Nga ana tjetër, ngadalësimi i inflacionit të qirave ka vepruar në kahun e kundërt gjatë tremujorit, duke diktuar rënien e inflacionit nga niveli 3.4% në muajin korrik në nivelin 2.9% në muajin shtator.
Në këndvështrimin makroekonomik, ecuria e inflacionit pasqyron forcimin e presioneve të huaja dhe zbutjen e atyre të brendshme. Inflacioni i importuar ka ardhur në rritje, ndonëse mbiçmimi i Lekut ka amortizuar pjesërisht ndikimin e çmimeve të huaja. Ndërkohë, presionet nga ekonomia e brendshme kanë ardhur në reduktim, si pasojë e rënies së inflacionit të qirave, duke kontribuuar edhe në rënien e inflacionit bazë.
Në tërësi, kërkesa relativisht e lartë për mallra e shërbime, si dhe rritja e shpejtë e pagave në sektorin privat jobujqësor, vijojnë të mbeten faktorë rreziku për ecurinë e çmimeve në të ardhmen. Ndikimi i tyre në inflacion vijon të mbetet i kontrolluar, si pasojë e rritjes së produktivitetit, e rënies së marzheve të fitimit për njësi, si dhe e pritjeve të ankoruara për inflacionin. Megjithatë, ecuria e tyre do të vijojë të jetë subjekt i vëmendjes së shtuar nga Banka e Shqipërisë”, tha guvernatori.
BSH nuk ndryshon normën bazë, rreziqet e rritura nga tregjet e huaja
Ndërkohë, në eurozonë, rritja e çmimeve ka qenë më e shpejtë se në Shqipëri. Sipas Eurostat, inflacioni vjetor në 21 vendet e Eurozonës arriti në 4% në tetor 2026, nga 3.8% në shtator. Norma është dyfishi i objektivit prej 2% të BQE-së, ndërsa çmimet e energjisë mbeten faktori kryesor i përshpejtimit të inflacionit.
Rritja e çmimeve të naftës dhe gazit, e lidhur me konfliktin në Iran dhe pasigurinë për furnizimet ndërkombëtare, ka shtuar kostot për konsumatorët dhe bizneset europiane. Inflacioni vjetor i energjisë arriti në 20.8% në tetor, duke vijuar përshpejtimin nga muajt e mëparshëm.
Rritja e kostove të karburanteve, veçanërisht e naftës, po ndikon gjithashtu në transportin dhe shpërndarjen e mallrave.
Çmimet më të larta të gazit natyror po shtojnë shpenzimet e industrisë, ndërsa rezervat relativisht të ulëta europiane të gazit mbeten një tjetër shqetësim për muajt e dimrit.
Banka Qendrore Europiane i ka rritur dy herë normat e interesit gjatë këtij viti, pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme në shkurt. Në mbledhjen e fundit, në fund të tetorit, institucioni vendosi t’i mbajë të pandryshuara normat, për të vlerësuar ecurinë e inflacionit dhe ndikimin e shtrenjtimit të energjisë në ekonomi.
Inflacioni në Eurozonë arrin 4%, niveli më i lartë në tre vjet, rritet presioni mbi BQE-në
Tendenca
Sipas INSTAT, Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin Tetor 2025, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 11,4 %, pasuar nga “Argëtim, sport dhe kulturë” me 7,4 %, “Sigurime dhe shërbime financiare” me 4,4 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 4,0 %, “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” me 2,8 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,7 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 2,4 %, “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme” me 2,3 %, “Restorante dhe shërbime akomodimi” me 2,0 %, etj.
Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 2,6 %, pasuar nga grupi “Informacioni dhe komunikimi” me 1,1 %.
Ndryshimet mujore të grupeve kryesore: Krahasuar me Shtator 2026, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Veshje dhe këpucë” me 1,5 %, pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,2 %, “Kujdesi personal dhe mallra e shërbime të ndryshme”me 0,7 %, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,5 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,2 %, “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera”, “Shëndeti” dhe “Argëtim, sport dhe kulturë” me 0,1 % secili.
Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 1,4 %, pasuar nga grupi “Restorante dhe shërbime akomodimi” me 0,1 %.
Burimi: INSTAT

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









