Rusia mund të ketë arritur kufijtë e kapaciteteve të saj ushtarake në kohë paqeje në Detin Baltik. Deklarata është bërë nga komandanti i Marinës finlandeze, kundëradmirali Tuomas Tiilikainen, në një intervistë për televizionin britanik Sky, ku ai ka vlerësuar situatën e sigurisë në rajon si të tensionuar, por ende të qëndrueshme.
Sipas Tiilikainen, forcat detare ruse po monitorojnë vazhdimisht aktivitetet e NATO-s dhe të vendeve aleate në Detin Baltik, ndërsa edhe pala finlandeze po ndjek me vëmendje çdo lëvizje të Moskës.
Marina finlandeze ka zhvilluar gjatë muajve tetor dhe nëntor operacione monitorimi në Detin Baltik në bashkëpunim me Trupat e Marinës amerikane. Qëllimi i këtyre operacioneve është identifikimi dhe parandalimi i veprimeve armiqësore të Rusisë në këtë zonë strategjike.
Megjithatë, komandanti finlandez thekson se, pavarësisht tensioneve, nuk ka arsye për të përshkallëzuar më tej situatën. Përkundrazi, sipas tij, vendet e rajonit duhet të përpiqen të ulin tensionet dhe të shmangin çdo veprim që mund të çojë në një përballje.
Ai ka shpjeguar se stabiliteti aktual mund të lidhet me faktin se Rusia nuk e sheh të nevojshme të shtojë praninë apo gatishmërinë e saj ushtarake në rajon. Por, sipas një tjetër skenari të mundshëm, Moska mund të ketë arritur tashmë kufijtë e kapaciteteve që mund të angazhojë në Detin Baltik në kohë paqeje.
Vëmendja ndaj këtij rajoni është shtuar ndjeshëm pas dëmtimeve të përsëritura të infrastrukturës nënujore, veçanërisht të kabllove të telekomunikacionit dhe energjisë. Në janar të vitit të kaluar, vendet anëtare të NATO-s nisën operacionin “Baltic Sentry”, duke shtuar patrullimet me anije dhe avionë për të mbrojtur infrastrukturën kritike të Detit Baltik. Operacioni u ndërmor pas dëmtimeve të kabllove nënujore në Gjirin e Finlandës, në dhjetor 2024, për të cilat dyshimet kryesore u drejtuan ndaj Rusisë.
Ndërkohë, javën e kaluar, Gjykata e Helsinkit dënoi me burgim kapitenin dhe një anëtar të ekuipazhit të anijes tregtare “Fitburg”, e cila më 31 dhjetor 2025 dëmtoi një kabllo detare në Gjirin e Finlandës. Dy të dënuarit u shpallën fajtorë për shkatërrim të rëndë të pronës dhe u ngarkuan gjithashtu me afro dy milionë euro dëmshpërblim.
Komandanti i Marinës finlandeze ka bërë të ditur se që prej incidentit me anijen “Fitburg” nuk janë regjistruar sulme të tjera ndaj infrastrukturës nënujore finlandeze. Ai beson se masat e ndërmarra nga NATO kanë ndikuar në parandalimin e incidenteve të reja.
Megjithatë, sipas tij, një nga rreziqet më të mëdha në Detin Baltik mbetet aktiviteti i të ashtuquajturës flotë fantazmë ruse, veçanërisht i cisternave të vjetra të naftës, të cilat shpesh operojnë me ekuipazhe joprofesioniste.
Tiilikainen paralajmëron se një aksident i mundshëm me këto anije, për shembull nëse një cisternë do të përfundonte në cekëtinë, mund të shkaktonte një katastrofë të rëndë mjedisore në rajon.
