E hënë, 9 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Bashkëshorti i zv/guvernatores në skandalin e mbetjeve toksike të Albchrome
Lajme

Bashkëshorti i zv/guvernatores në skandalin e mbetjeve toksike të Albchrome

Ndërsa skandali i mbetjeve toksike të “Albchrome” ka vënë në lëvizje prokurorinë, të dhënat e fundit e zhvendosin këtë aferë nga fushat e helmuara të Elbasanit direkt në lidhjet e pushtetit në Tiranë.

Dokumentet e siguruara rishtazi zbulojnë se në vorbullën e këtij skandali mjedisor dhe penal del edhe emri i Erjon Durajt, bashkëshortit të Zëvendësguvernatores së Bankës së Shqipërisë, Holta Zaçaj.

Ky zhvillimi  i ri që ndryshon tërësisht peshën e kësaj afere, dëshmon se fijet e menaxhimit të kompanisë “Albchrome” Sh.p.k. të çojnë direkt në majat e kupolës financiare të shtetit.

Administrator
Në shtator të vitit të kaluar, me vendim të posaçëm, Duraj u emërua administrator i “Albchrome” Sh.p.k. me mandat 5-vjeçar, duke marrë në dorë të gjitha tagrat ekzekutive për çështjet administrative dhe operative.

Ai bashkë-firmoste çdo vendim operativ me administratoren Teuta Üstündağ. Këta të dy ishin njerëzit që menaxhonin kompaninë, ekzaktësisht gjatë periudhës kur ajo po konusmonte një krim të rëndë mjedisor.

Bashkëshorti i zv/guvernatores në skandalin e mbetjeve toksike të

Një kontroll i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, në uzinën e Ferrokromit në Papër, gjeti mbi 300 tonë mbetje toksike të lëna në qiell të hapur. Këto mbetje industriale, të cilat përmbajnë koncentrime të larta të metaleve të rënda, ishin paketuar në thasë të thjeshtë “bigbag” dhe liheshin të stivuara në qiell të hapur prej më shumë se një viti.

Sapo skandali nisi të merrte përmasa publike dhe Prokuroria e Elbasanit filloi procedurat e sekuestrimit, asambleja e ortakut të vetëm u mblodh me urgjencë në qershor të këtij viti. Pika e parë e rendit të ditës ishte largimi i menjëhershëm i Erjon Durajt nga detyra dhe revokimi i të gjitha tagrave të tij përfaqësuese.

OBSH e klasifikon si kancerogjen të Grupit 1
Mbetjet e rrezikshme që lëngojnë në uzinë sulmojnë shëndetin e popullatës përmes dy rrugëve fatale: ajrit dhe ujit. Nga njëra anë, 300 tonët e pluhurit të filtrave (kodi 10 08 15*), të lënë për mbi një vit në thasë të thjeshtë në ajër të hapur, thërrmohen dhe përhapen nga era në atmosferë duke u thithur direkt nga banorët.

Nga ana tjetër, skorjet masive të paizoluara (kodi 10 08 09) shplahen nga shiu, duke bërë që Kromi Heksavalent dhe metalet e rënda të depërtojnë thellë në tokë. Ky proces kontaminon direkt rrjedhat e ujit nëntokësor dhe burimet e zonës, duke bërë që helmet të përfundojnë në ujin e pijshëm dhe në produktet bujqësore që vaditen me to.

Prania e Kromit Heksavalent në ajër dhe në ujë është një alarm i kuq, pasi ky element është i certifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) si kancerogjen i Grupit 1.

Pasoja fatale për shëndetin e popullatës
Thithja e pluhurit dhe konsumi i ujit të ndotur shkaktojnë direkt kancer të mushkërive, si dhe rritin ndjeshëm rrezikun për kancer të stomakut, mëlçisë dhe veshkave.

Përveç rrezikut tumoral, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtyre mbetjeve shkakton dëmtime të rënda të rrugëve respiratore – si bronkit kronik dhe fibroza të pakthyeshme – si dhe mbart veti mutagjene që dëmtojnë direkt ADN-në, duke shfaqur rreziqe serioze riprodhuese për gratë shtatzëna.

Së fundmi, përdorimi i thjeshtë i ujit të kontaminuar provokon pezmatim të rëndë të lëkurës, alergji të forta mjedisore dhe ulçera të hapura dermale që kurohen me mjaft vështirësi.

Banorët e Papërit dhe Elbasanit po thithin dhe pinë pa e ditur një helm që qëndron i stivuar në qiell të hapur prej më shumë se një viti.

Hije dyshimi mbi konfliktin e interesit
Ky zbulim i ri zhvendos përgjegjësinë në nivelet më të larta institucionale. Në kohën që zoti Duraj u emërua administrator i Albchrome, bashkëshortja e tij ishte kryetare e Gjykatës Kushtetuese, praktikisht në majën më të lartë të piramidës së drejtësisë në vend.

Në dhjetor të vitit të kaluar, ajo u largua nga kjo detyrë pas përfundimit të mandatit, por u emërua menjëherë si zv/guvernatore e parë e Bankës së Shqipërisë, pra duke shkuar në majën e sistemit financiar të vendit.

Ndërsa zonja Zaccaj lëvizte nga njëra majë e pushtetit në tjetrën, partneri i saj menaxhonte operacionet e një prej kompanive të akuzuara për gjenocid mjedisor dhe krime ndaj shëndetit publik.

Prokuroria e Elbasanit ka sekuestruar tashmë mbetjet toksike, por tashmë ngrihen pikëpyetje: A do të guxojë drejtësia të verifikojë deri në fund se kush ishin autorët e krimit të rëndë mjedisor në Elbasan, pavarësisht lidhjeve të tyre me pushtetin?/Kapitali

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.