Rritja ekonomike që qeveria paraqet në shifra nuk po përkthehet në përmirësim të mirëqenies së familjeve shqiptare. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, vë në pikëpyetje modelin aktual ekonomik, duke argumentuar se përfitimet nga rritja janë të përqendruara në pak sektorë dhe nuk po shpërndahen te shumica e qytetarëve.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku ndalet te treguesit ekonomikë për vitin 2025, duke deklaruar se rritja ekonomike prej 3.66% që pretendon qeveria, pas heqjes së kontributit të taksave dhe administratës publike zbret në vetëm 0.86%. Sipas saj, kjo rritje lidhet kryesisht me sektorin e ndërtimit, pesha e të cilit në ekonomi ka arritur në 12.6%.

"Në vitin 2025 qeveria pretendon që ka rritje ekonomike prej 3.66%. Duke hequr peshën e taksave, por edhe të administratës publike, rritja mbetet vetëm 0.86% dhe e gjitha vjen nga ndërtimi. Ndërtimi, që pak vite më parë kishte peshë në ekonomi shumë të ulët, sot e ka 12.6%."- u shpreh Tabaku.

Deputetja e opozitës argumenton se këto shifra nuk pasqyrojnë realitetin ekonomik të familjeve shqiptare, të cilat sipas saj, nuk përfitojnë nga rritja e raportuar. Ajo ngre shqetësimin për pensionistët, fermerët dhe bizneset e vogla, duke kërkuar që politikat ekonomike të orientohen drejt prodhimit, punësimit dhe investimeve që krijojnë mirëqenie.

"Familjet nuk jetojnë me shifrat e qeverisë. Jetojnë me atë që u mbetet në fund të muajit. Çfarë vlere ka rritja ekonomike kur pensionistët, fermerët dhe bizneset e vogla nuk ndiejnë përmirësim?"

Tabaku vë në diskutim edhe orientimin e investimeve strategjike, duke kërkuar të dihet se sa prej tyre shkojnë drejt prodhimit dhe krijimit të vendeve të punës. Sipas saj, ekonomia shqiptare ka nevojë për një model që mbështet sektorët produktivë dhe shpërndan përfitimet te qytetarët.

“A ka ndër investimet strategjike ndonjë që shkon tek prodhimi?”, pyet Tabaku, e cila shprehet se prodhimi ka pothuajse nëntë tremujorë në rënie.

Deputetja kërkon një orientim tjetër të politikave ekonomike, me mbështetje për punën dhe investime produktive që sjellin përfitime për ekonominë dhe familjet.

“Kjo është ekonomia që duhet t’i shërbejë shumicës; në fakt, i shërben veç pakicës”, shprehet Tabaku.