Shtohen rastet e qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës, pasi kanë shfaqur simptoma të të vjellave dhe diarresë. Rastet janë konstatuar kryesisht në lagjet “28 Nëntori” dhe “29 Nëntori”, ku disa banorë janë paraqitur në spital për të marrë trajtim mjekësor.

Pas marrjes së serumit dhe ndihmës mjekësore, pacientët janë larguar drejt banesave, pa pasur nevojë për shtrim në spital.

Dyshimet përqendrohen te cilësia e ujit të pijshëm, pasi problematika është shfaqur pas një ndërhyrjeje riparimi në rrjetin e ujësjellësit dhe rikthimit të furnizimit me ujë në këto zona.

Pas evidentimit të situatës, Ujësjellësi ka ndërhyrë në zonat e prekura. Megjithatë, deri më tani nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse problemet shëndetësore të qytetarëve kanë lidhje të drejtpërdrejtë me cilësinë e ujit të pijshëm. Shkaku mbetet ende nën verifikim.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb