Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7 do të zhvillojnë të hënën dhe të martën një takim në Paris, ku në fokus do të jenë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë dhe tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Sipas DW, në takim do të marrin pjesë kryediplomatët e Britanisë së Madhe, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara. Diskutimet zhvillohen në një moment kur Uashingtoni po ndërmjetëson bisedimet mes Moskës dhe Kievit, të planifikuara të nisin të martën në Abu Dhabi.
Qeveritë evropiane shprehin shqetësimin se SHBA-ja mund ta shtyjë Ukrainën drejt një marrëveshjeje që favorizon Rusinë. Në prag të bisedimeve, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi për CBS se një marrëveshje e rëndësishme ishte në përgatitje dhe se Ukraina mund të dalë prej saj me kufij të ndryshuar.
“Unë mendoj se do ta përfundojmë këtë marrëveshje dhe mendoj se do të ndodhë. Ukraina do të përfundojë me një formë territoriale disi të ndryshme”, tha Trump, duke shtuar se marrëveshja do të përfshinte edhe Evropën.
Franca ka konfirmuar pjesëmarrjen në bisedimet e Abu Dhabit. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, deklaroi për radion RTL se evropianët do të përfaqësohen dhe se Franca do të marrë pjesë në diskutime.
Udhëheqësit evropianë kanë këmbëngulur vazhdimisht se çdo marrëveshje për përfundimin e luftës duhet të përfshijë Evropën dhe të mos cenojë sovranitetin e Ukrainës. Barrot tha se nuk i njihte hollësitë e planit amerikan, por theksoi se nuk mund të arrihet asnjë marrëveshje që prek arkitekturën e sigurisë evropiane pa pjesëmarrjen e vendeve të kontinentit.
Vëmendje e veçantë në takimin e G7 do t’i kushtohet sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili do të jetë i pranishëm gjatë të dyja ditëve. Në takimin e mëparshëm të grupit, ai kishte marrë pjesë vetëm në njërën prej tyre.
Rubio ka deklaruar se diskutimet e fundit kanë shënuar përparim për garancitë e sigurisë ndaj Ukrainës dhe rajonit më të gjerë evropian. I dërguari i Trump dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, ka folur gjithashtu për përpjekjet amerikane për krijimin e një kuadri më të gjerë të sigurisë evropiane.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka shprehur më herët rezerva për propozimet për një kuadër të ri të sigurisë evropiane, duke argumentuar se diskutimet për këtë çështje duhet të zhvillohen pas përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës.
Një tjetër çështje në tryezën e ministrave do të jenë tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit. Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e sulmeve të tjera ushtarake ndaj Iranit, ndërsa administrata amerikane ka shqyrtuar më parë objektiva të dyshuara bërthamore, përfshirë zonën e njohur si Pickaxe Mountain. Irani mohon që ky vend të jetë një objekt bërthamor.
Qeveritë evropiane po kërkojnë një zgjidhje diplomatike dhe kundërshtojnë rifillimin e veprimeve ushtarake. Një nga shqetësimet kryesore është rikthimi i qarkullimit normal të anijeve në Ngushticën e Hormuzit, një korridor i rëndësishëm për furnizimin ndërkombëtar me energji.
Trump ka deklaruar së fundmi se zyrtarët iranianë janë të interesuar për arritjen e një marrëveshjeje, duke lënë të hapur mundësinë e negociatave.
Takimi në Paris është ndër aktivitetet e fundit të rëndësishme diplomatike gjatë presidencës franceze të G7. Në vitin 2027, presidencën e radhës së grupit pritet ta marrë Shtetet e Bashkuara.