Qarkullimi hekurudhor në Kosovë u ndërpre sot për shkak të grevës së paralajmëruar nga punëtorët e Infrakos-it (Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës), ndërmarrjes publike që menaxhon infrastrukturën hekurudhore të Kosovës, të cilët kërkojnë përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e pagave.
Ndërmarrja Trainkos njoftoi se treni nr. 4201, i nisur nga Prishtina në orën 07:50, përfundoi udhëtimin në Fushë-Kosovë, pasi Infrakos ndërpreu ofrimin e shërbimeve infrastrukturore, më 08:00.
Pas këtij orari, të gjitha linjat e tjera hekurudhore u pezulluan deri në normalizimin e situatës.
Trainkos u ka kërkuar mirëkuptim udhëtarëve, duke bërë të ditur se shërbimet do të rikthehen sapo të krijohen kushtet për rifillimin e qarkullimit.
Për çdo ndryshim tjetër do t’ju njoftojmë me kohë.
Greva ishte paralajmëruar më herët nga punëtorët e Infrakos-it gjatë protestës së 26 tetorit, të zhvilluar para stacionit hekurudhor në Fushë-Kosovë.
Punonjësit kërkojnë indeksimin e pagave, përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e sigurisë. Ata akuzojnë bordin dhe menaxhimin e ndërmarrjes se nuk kanë përmbushur kërkesat e tyre.