Një ngjarje makabre është zbuluar në Athinë, ku trupi i pajetë i një vajze të re është gjetur i fshehur brenda një valixheje, në zonën e Agios Panteleimonas. Rasti ka ngritur dyshime të forta dhe ka vënë në lëvizje autoritetet greke, të cilat po hetojnë rrethanat e vdekjes dhe mënyrën sesi trupi është transportuar dhe braktisur në një zonë të banuar të kryeqytetit.
Valixhja u gjet të dielën në kryqëzimin e rrugëve Alkamenous dhe Charissis, pasi një 29-vjeçar i huaj njoftoi policinë për erën e rëndë që vinte prej saj. Efektivët mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe, gjatë kontrollit, zbuluan brenda saj trupin e një gruaje, i cili ndodhej në një fazë të avancuar dekompozimi.
Sipas vlerësimeve paraprake të mjekut ligjor, viktima dyshohet të jetë një vajzë e moshës 17 deri në 25 vjeç, me origjinë afrikane dhe shtat të shkurtër. Një tjetër detaj shqetësues është se këmbët e saj ishin të lidhura me litar. Nga ekzaminimi fillestar nuk janë konstatuar dëmtime të dukshme në trup, ndërsa dyshohet se vdekja ka ndodhur rreth 5 deri në 7 ditë përpara zbulimit të valixhes.
Megjithatë, për shkak të gjendjes së avancuar të dekompozimit, mjekët nuk kanë mundur të përcaktojnë ende shkakun e vdekjes. Përgjigjet pritet të dalin nga autopsia, e cila do të ndihmojë në sqarimin nëse bëhet fjalë për një vrasje apo nëse gruaja ka humbur jetën për shkaqe të tjera.
Hetimet janë marrë përsipër nga Departamenti i Vrasjeve, i cili po punon për identifikimin e viktimës dhe zbardhjen e ngjarjes. Paralelisht, policia po mbledh pamjet nga kamerat e sigurisë në zonë dhe po merr dëshmitë e banorëve, me qëllim identifikimin e personit ose personave që kanë transportuar dhe braktisur valixhen.
