Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar akuza të reja ndaj ish drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni.
Mësohet se ajo po hetohet për “pastrim parash” dhe “korrupsion”, akuza të cilat ia rëndojnë edhe më shumë pozitën e saj.
SPAK po verifikon një transfertë në një kompani ku është i punësuar vëllai i Vlora Hysenit, Izet Dingler.
Ndërkohë po verifikohen edhe disa listpagesa që janë gjetur në zyrën e EATABACCO të Ergys Agasit.
Htimet ndaj ish-drejtueses së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni zhvillohen në kuadër të dosjes së AKSHI-t, ku ajo dyshohet për përfshirje në veprimtari që lidhen me biznesmenin Ergys Agasi.
Sipas të dhënave të bëra publike nga SPAK më parë, Hyseni është nën hetim për dy vepra penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Hetimi lidhet me dyshimet se ajo mund të ketë ndihmuar Agasin gjatë kohës që ky i fundit ndodhej në arrati, duke i vënë në dispozicion informacione konfidenciale shtetërore.
Vlora Hyseni në arrest shtepie
Më 4 nëntor, Gjykata e Posaçme e Apelit rrëzoi kërkesën e Vlora Hysenit për lehtësimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi arrestin në shtëpi dhe pezullimin nga ushtrimi i funksioneve publike.
Hyseni ka mohuar akuzat, duke deklaruar se ka kryer vetëm detyrën e saj dhe se nuk e ka vënë në dispozicion Shërbimin Informativ për t’i shërbyer ndonjë personi apo nisme që mund të dëmtonte interesat e Shqipërisë.
Ndalimi i Vlora Hysenit
Ish-drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni u vu nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi” më 21 shtator 2026, me vendim të Gjykatës së Posaçme (GJKKO), në kuadër të hetimeve të SPAK.
Në momentin kur u caktua masa e sigurisë, Hyseni ndodhej në Baku të Azerbajxhanit për një vizitë pune. Një ditë më vonë, më 22 shtator, ajo u kthye në Shqipëri dhe iu dorëzua autoriteteve në pikën kufitare të Morinës.
Përveç arrestit në shtëpi, ndaj saj u vendos edhe masa e pezullimit nga ushtrimi i funksioneve publike.
Më 4 nëntor 2026, Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masën e sigurisë, duke rrëzuar kërkesën e saj për ndryshimin e saj.
Hyseni është nën hetim në kuadër të dosjes së AKSHI-t, ndërsa SPAK po verifikon dyshimet për përfshirjen e saj në veprimtari të paligjshme dhe komunikimet me persona të përfshirë në këtë çështje.












