Alex Baena mbrojti Julian Alvarezin pas humbjes 2-1 të Atletico Madridit ndaj Barcelonës në “Metropolitano”. Ai vlerësoi lojën e sulmuesit argjentinas, megjithëse ky i fundit nuk i shfrytëzoi të gjitha rastet.
Alvarez pati mundësinë ta kalonte Atleticon në avantazh dhe më pas dha asistin për golin e parë, të shënuar nga Giuliano Simeone. Barcelona e ktheu rezultatin me dy golat e Fermin Lopezit dhe siguroi tri pikët.
Të lidhura
None found
Pas takimit, Baena tha se Alvarez zhvilloi një ndeshje shumë të mirë. Ai shpreson që bashkëlojtari i tij të krijojë në çdo ndeshje raste si ato të së dielës dhe është i bindur se herën tjetër do t’i kthejë në gola. Sipas tij, konkretizimi para portës ndryshon nga një ditë në tjetrën.
Mesfushori u shpreh se Atletico i shkaktoi shumë probleme Barcelonës, por nuk arriti t’i shfrytëzonte mundësitë. Ai shtoi se sezoni është i gjatë, mbetet ende shumë për t’u luajtur dhe skuadra duhet të vazhdojë në këtë rrugë.
Për Baenën, rezultatin nuk e përcaktoi numri i rasteve të krijuara, por mënyra si u shfrytëzuan ato: Barcelona shënoi nga mundësitë e saj, ndërsa Atletico jo. Ai theksoi se kur nuk shënon, mund të përfundosh me një rezultat si ky.
Duke iu referuar pjesës së parë, Baena tha se Atletico ishte në të njëjtin nivel me Barcelonën. Megjithatë, sipas tij, kundër një kundërshtari të tillë nuk mund të biesh nën 100 për qind, sepse të ndëshkon; për këtë arsye, skuadra duhet të japë 120 për qind.





