Një 20-vjeçar është arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën akuzën për vrasjen e një 19-vjeçari dhe plagosjen e një vajze, gjatë një prej dy incidenteve me armë zjarri që tronditën kampusin e Universitetit Shtetëror Winston-Salem në Karolinën e Veriut, mbrëmjen e së shtunës. Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë festimeve të Homecoming, ndërsa autoritetet kanë konfirmuar se dy sulmet me armë zjarri ishin të ndara dhe nuk kishin lidhje me njëri-tjetrin.
Policia e Winston-Salem bëri të ditur se është arrestuar Ziyaire Antonyo Spinks, 20 vjeç, i cili akuzohet për vrasjen e Peyton Izaia Patterson, 19 vjeç. Sipas autoriteteve, efektivët ndërhynë pasi dëgjuan të shtëna armësh dhe gjetën të riun me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit. Pavarësisht përpjekjeve të policisë dhe ekipeve të emergjencës për t'i shpëtuar jetën, 19-vjeçari ndërroi jetë në vendngjarje. Nga i njëjti incident mbeti e plagosur edhe Alyssa Janae Ellerbee, 19 vjeçe e cila u transportua në spital për trajtim mjekësor dhe më pas u largua prej tij.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se përplasja që përfundoi në tragjedi nisi pas një konflikti mes dy grupeve. Spinks akuzohet për vrasje, sulm me armë vdekjeprurëse me qëllim vrasjen dhe shkaktimin e plagosjeve të rënda, si dhe për posedim të armës së zjarrit në ambientet e një institucioni arsimor. Ai po mbahet në paraburgim pa mundësi lirimi me kusht. Në lidhje me përleshjen është arrestuar edhe 18-vjeçari Cequon Warren Brower, i akuzuar për përfshirje në konfliktin fizik. Ndihmës shefi i policisë së Winston-Salem, Jason Swaim, sqaroi se as Spinks dhe as Brower nuk ishin studentë të universitetit.
Situata u bë edhe më shqetësuese pasi, vetëm 36 minuta pas incidentit të parë, rreth orës 22:22, u raportua një tjetër të shtënë me armë zjarri në kampus. Në këtë rast, policia gjeti dy persona të plagosur. Autoritetet identifikuan një automjet që dyshohet se lidhet me ngjarjen dhe më pas e ndaluan atë, por deri të dielën pasdite nuk ishte bërë asnjë arrestim. Policia theksoi se ky incident nuk ka lidhje me vrasjen e Patterson dhe se hetimet për të dyja rastet po vijojnë veçmas.
Dokumentet gjyqësore tregojnë se Spinks kishte edhe dy çështje të tjera të hapura me drejtësinë në Karolinën e Veriut. Në mars, ai ishte arrestuar në Randolph County për mbajtje të armës së fshehtë dhe posedim të marijuanës, ndërsa në tetor ishte paditur në Guilford County për bashkëpunim në grabitje dhe grabitje me armë të rrezikshme, për një ngjarje që dyshohet se ka ndodhur vitin e kaluar.
Dy incidentet me armë zjarri ndodhën në ditën e festimeve të Homecoming, kur universiteti organizonte aktivitete për komunitetin dhe ndeshjen mes ekipit WSSU Rams dhe Fayetteville State Broncos. Pas tragjedisë, drejtuesit e universitetit vendosën të anulojnë aktivitetet e mbetura të së dielës, përfshirë edhe një event të planifikuar në kishën Emmanuel Baptist.
Kancelarja e universitetit, Bonita J. Brown, shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës dhe uroi shërim për të plagosurit, duke pranuar se ngjarjet kanë shkaktuar tronditje të madhe te studentët dhe i gjithë komuniteti universitar. Ndërkohë, shefi i policisë së kampusit, Amir Henry, deklaroi se situata ishte vënë nën kontroll dhe se kampusi ishte i sigurt.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e dy episodeve të dhunshme që shndërruan festimet universitare në një tragjedi me një viktimë dhe disa të plagosur.








Komente
Komento