Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, nuk e ka fshehur pakënaqësinë me paraqitjen e skuadrës së tij pas barazimit ndaj Fiorentinës, duke pranuar se lojtarët humbën besimin dhe qetësinë në momente të caktuara të ndeshjes.
Në një prononcim për DAZN, tekniku italian analizoi vështirësitë e skuadrës, duke theksuar se Juventusi bëri gabime që ndikuan drejtpërdrejt në rrjedhën e takimit.
“Ka momente kur e humbasim plotësisht besimin dhe qetësinë gjatë lojës. E pësuam golin shumë shpejt, kryesisht sepse nuk arritëm të menaxhonim siç duhej lëvizjet e repartit tonë mbrojtës”, deklaroi Spalletti.
Trajneri pranoi se pas golit të pësuar skuadra reagoi mirë, por nuk arriti ta ruante të njëjtin nivel përgjatë gjithë ndeshjes.
“Reaguam mirë, por nuk arritëm të ruanim vazhdimësinë, madje as në aspektin individual. Në disa momente vendosim të mos bëjmë asgjë, qëndrojmë në vend dhe pranojmë situatën, në vend që të marrim një vendim dhe të përpiqemi të reagojmë”, u shpreh ai.
Spalletti u ndal edhe te momenti i diskutueshëm, kur Juventusi pretendoi për penallti pas një ndërhyrjeje ndaj João Mário.
Për këtë episod, trajneri bardhezi u tregua i rezervuar, duke mos dashur të japë një gjykim të prerë.
“Nuk e di nëse ishte penallti apo jo, sepse vërtet nuk e di. Nuk kam nevojë ta shoh edhe një herë, pasi e kam parë tashmë nga fusha”, përfundoi Spalletti.
