Humbjet e republikanëve/ Trump pranon se deportimet e emigrantëve shkuan shumë larg: Ishin shumë të ashpra
Presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar se politikat e ashpra të administratës së tij për deportimin e emigrantëve pa dokumente kanë shkuar shumë larg dhe janë bërë jopopullore në mesin e qytetarëve amerikanë. Në një intervistë për emisionin “60 Minutes” të CBS, të transmetuar të dielën në mbrëmje, Trump komentoi humbjet e thella të republikanëve në zgjedhjet e javës së kaluar, duke pranuar se masat kundër emigracionit mund të kenë ndikuar në rezultatet e dobëta të partisë së tij.
“Ishte shumë e vështirë. Mendoj se mund të jetë shumë e vështirë”, deklaroi Trump, duke iu referuar veçanërisht emigrantëve që jetojnë prej më shumë se dhjetë vitesh në SHBA dhe që nuk kanë kryer krime të rënda.
Megjithatë, presidenti nuk mori përgjegjësi personale për humbjet e republikanëve, pavarësisht niveleve të ulëta të popullaritetit të tij. Sipas Trump, kandidatët republikanë nuk arritën ta shndërronin mbështetjen që ai pretendon se gëzon në vota për fushatat e tyre. Ai përmendi Iranin dhe mesazhet e dobëta politike si disa nga arsyet kryesore të rezultateve negative, ndërsa pranoi se politikat e emigracionit ishin një ndër çështjet ku administrata e tij kishte humbur mbështetjen.
Nuk është ende e qartë nëse ky qëndrim do të shoqërohet me ndryshime konkrete në politikat e deportimit. Trump sapo ka emëruar Stephen Miller, një prej arkitektëve kryesorë të politikave të tij kundër emigracionit, në postin e shefit të ri të stafit. Gjatë intervistës, presidenti amerikan u ndal edhe te marrëdhëniet me kundërshtarët e tij politikë, duke bërë deklarata të forta për mundësinë e faljes dhe pajtimit.
I pyetur nëse mund t’i falte armiqtë e tij, Trump u shpreh se kishte njerëz që i urrente dhe se nuk besonte se do të ndryshonte qëndrim ndaj tyre.
“Do të preferoja të shkoja në ferr sesa të falja”, ishte mesazhi që përcolli presidenti amerikan gjatë debatit për faljen e kundërshtarëve.
Ai kujtoi edhe deklaratat e bëra në funeralin e aktivistit konservator Charlie Kirk, ku e veja e tij, Erika Kirk, kishte shprehur publikisht faljen ndaj personit të dyshuar për vrasjen e bashkëshortit të saj. Trump, në të njëjtën ceremoni, ishte shprehur se i urrente kundërshtarët e tij dhe nuk dëshironte të mirën e tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



