“Nuk do të harrojmë kurrë” - Galatasaray shkruan për vdekjen e Xhevat Prekazit

Klubi turk Galatasaray ka reaguar me një mesazh prekës pas vdekjes së Xhevat Prekazit, ish-futbollistit që la gjurmë të rëndësishme në historinë e klubit nga Stambolli.
Prekazi kaloi një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij te Galatasaray, ku u shndërrua në një figurë të dashur për tifozët. Me skuadrën turke, ai fitoi dy tituj kampioni radhazi, në sezonet 1986/87 dhe 1987/88.
Në reagimin e publikuar, Galatasaray e kujtoi Prekazin për golat, karakterin dhe emocionet që u dhuroi tifozëve gjatë periudhës së tij në klub.

“Jemi thellësisht të pikëlluar nga humbja e Xhevat Prekazit, i cili e shkroi emrin e tij me shkronja të arta në historinë e Galatasarayt dhe la një gjurmë të pashlyeshme në kujtimet tona, përmes futbollit dhe karakterit të tij. Prekazi, i cili bëri për vete një brez të tërë tifozësh të Galatasarayt falë golave të tij të paharrueshëm dhe gëzimit të papërshkrueshëm që na dhuroi, do të mbetet përgjithmonë në zemrat tona. Nuk do të harrojmë kurrë. Zoti e mëshiroftë Xhevat Prekazin. U shprehim ngushëllimet tona familjes së tij, njerëzve të dashur dhe të gjithë atyre që e donin atë”, shkruan në reagimin e Galatasarayt.
Gjatë aventurës së tij në Turqi, Prekazi zhvilloi 185 ndeshje në kampionat me Galatasarayn dhe shënoi 40 gola.
Përveç klubit turk, ai luajti edhe për Partizanin e Beogradit dhe Hajdukun e Splitit, ndërsa në nivel ndërkombëtar ishte pjesë e Përfaqësueses U21 të ish-Jugosllavisë. /Telegrafi/











































