Rusia po nxiton të lëshojë në orbitë versionin e saj të Starlink të Elon Musk, i cili mund t’u mundësojë operatorëve rusë të kontrollojnë njëkohësisht grupe të mëdha dronësh, thellë brenda territorit të Ukrainës.
Projekti kryesor hapësinor i Moskës, Rassvet — një sistem i sigurt komunikimi që përdor një rrjet satelitor broadband në orbitën e ulët të Tokës, stacione tokësore dhe terminale — mund të jetë funksional që vitin e ardhshëm, kanë paralajmëruar analistët, shkruan FT.
Ky rrjet satelitor do t’i bënte sulmet ruse më vdekjeprurëse, duke lehtësuar transmetimin e të dhënave dhe kontrollin e dronëve në kohë reale, në distanca të mëdha, si dhe goditjen e objektivave në lëvizje. Sipas Agjencisë së Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës, ai mund të përdoret gjithashtu për të siguruar të dhëna shënjestrimi për sistemet raketore.
“Rreziku më i madh i tij nuk qëndron thjesht në faktin se i ofron Rusisë një alternativë ndaj Starlink, por në transformimin e dronëve sulmues relativisht të lirë në armë të afta për të identifikuar, ndjekur dhe goditur objektiva në lëvizje, thellë brenda territorit ukrainas”, tha Oleksandr Danylyuk, ish-këshilltar ukrainas për mbrojtjen dhe inteligjencën, i cili aktualisht drejton Qendrën për Reformat në Mbrojtje (CDR).
“Me zgjerimin e shpejtë të prodhimit të dronëve nga Rusia, kjo mund të rrisë ndjeshëm efektivitetin e sulmeve të saj dhe të minojë aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur infrastrukturën kritike ushtarake dhe civile”, shtoi ai.
Vendosja në funksion e Rassvet mund të paraqesë gjithashtu rreziqe sigurie për Evropën, pasi sistemi mund të përdoret për të operuar dronë kudo brenda zonës së mbulimit të tij.
“Ekzistojnë përdorime të mundshme për terrorizëm dhe sabotim”, tha Rob Lee, ekspert ushtarak me bazë në Kiev, pranë Institutit të Kërkimeve për Politikën e Jashtme.
Starlink dhe versioni i tij ushtarak, i quajtur Starshield, kanë luajtur një rol thelbësor për t’u mundësuar dronëve ukrainas, të pilotuar manualisht, të godasin objektiva më thellë në zonat e Ukrainës të kontrolluara nga Rusia, duke anashkaluar sistemet tradicionale të bllokimit të sinjaleve. Sipas analistëve dhe zyrtarëve ukrainas, Rassvet mund t’u mundësojë forcave ruse të bëjnë të njëjtën gjë.
“Mendoj se përparësia numër një për [Rusinë] është transmetimi i drejtpërdrejtë i sinjalit video, me vonesë minimale, për dronët sulmues dhe ata të zbulimit që fluturojnë mbi Ukrainë”, tha Nick Kovalski, themelues i kompanisë konsulente për mbrojtjen East Front Solutions (EFS), me bazë në Kiev.
Megjithatë, vonesat në prodhim dhe varësia e madhe nga teknologjia kineze rrezikojnë të dështojnë ambiciet e Moskës. Lëshimet në orbitë të satelitëve të Rassvet — që në rusisht do të thotë “agim” — janë prapa afateve të parashikuara, megjithëse janë kryer disa teste të suksesshme të l
Ekspertët vlerësojnë se aktualisht Rassvet mund të sigurojë deri në tri orë lidhje në ditë, me një interval të pandërprerë prej rreth 50 minutash. Agjencia e Inteligjencës Ushtarake e Ukrainës i tha revistës së mbrojtjes Janes se Rusia e kishte përdorur Rassvet mbi Ukrainë për “disa orë” deri në fund të korrikut, por për momentin kjo nuk mjafton për detyra reale në fushën e betejës.
“Nuk mund ta vendosësh thjesht këtë sistem mbi Ukrainë: satelitët janë vazhdimisht në lëvizje dhe Toka rrotullohet”, tha Anatoly Zak, gazetar veteran i çështjeve hapësinore, i cili drejton botimin e pavarur RussianSpaceWeb. “Për të kontrolluar një dron, të duhen mjaftueshëm satelitë që sinjali të kalojë nga njëri te tjetri, duke krijuar lidhjen me të.”
Rassvet nisi në vitin 2020 si një projekt civil, që synonte të siguronte lidhje interneti edhe në zonat më të largëta të Rusisë. Por Kremlini u bind për nevojën e një sistemi të barasvlershëm me Starlink pasi sulmi i tij rrufe në Ukrainë dështoi gjatë javëve kaotike të para të pushtimit.
Kjo nevojë u bë edhe më urgjente në fillim të vitit 2026, kur SpaceX çaktivizoi terminalet e paregjistruara Starlink që Rusia po përdorte në mënyrë të paligjshme.
Zyrtarët përzgjodhën Rassvet, në pronësi të kompanisë private Bureau 1440, për të përballuar këtë sfidë dhe në vitin 2025 u angazhuan të financonin 40 për qind të kostos së tij të vlerësuar në 514.7 miliardë rubla (6.2 miliardë dollarë). Projekti u përfshi me shpejtësi në infrastrukturën e lëshimeve në orbitë të agjencisë hapësinore ruse Roscosmos.
Bureau 1440 dhe Roscosmos nuk iu përgjigjën kërkesave të Financial Times për koment.
FAB Rassvet, një kompani pjesë e grupit Bureau 1440, është nën sanksionet amerikane që prej tetorit 2024.
Vladimir Putin vlerësoi përparimin e Rassvet gjatë samitit Rusi-Afrikë në Moskë javën e kaluar.
“Ne jemi ende në hapat tanë të parë. Por jemi krenarë që kemi filluar dhe që po e bëjmë këtë me forcat tona”, tha presidenti rus, duke shtuar se Rusia është “në kontakt të ngushtë me Muskun”, të cilin e cilësoi si “gjeni”, për t’u siguruar që askush të mos “i dalë në rrugë tjetrit në orbitë”.
Bureau 1440 ka lëshuar deri më tani 32 satelitë të prodhimit të saj, dy prej të cilëve janë humbur. Kjo e bën objektivin për të pasur më shumë se 250 satelitë në një lartësi prej rreth 800 kilometrash deri në vitin 2027 mjaft ambicioz.
Shumica e satelitëve janë pozicionuar në një lartësi prej rreth 510 kilometrash, gjë që mund të jetë e qëllimshme: fluturimi më pranë Tokës mundëson përdorimin e terminaleve tokësore më të vogla, një avantazh për përdorimin ushtarak.
Pavel Luzin, studiues i lartë në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), dyshon se Rassvet do të arrijë së shpejti funksionalitetin e plotë.
“Rusisë do t’i duheshin të paktën 16-17 lëshime në orbitë, gjë që vështirë se mund të realizohet deri në fund të vitit 2027.”

Luzin ia atribuoi vonesat varësisë së madhe nga importet kineze, pavarësisht pretendimit të Rassvet se sistemet e tij prodhohen duke përdorur komponentë elektronikë vendas, sa herë që kjo është e mundur.
CDR identifikoi pagesa në valutë të huaj në vlerën e afro 68 milionë dollarëve, të kryera nga Bureau 1440 ndaj furnitorëve të saj gjatë vitit 2025. Hulumtimi i saj zbuloi se shumë prej këtyre furnitorëve kishin lidhje me Kinën.
Sipas CDR-së, dhjetëra punonjës të Bureau 1440 kanë kryer udhëtime pune në Kinë, përfshirë në qendrat e saj të industrisë hapësinore dhe prodhimit, si dhe në Tajvan e Japoni.
Sipas CDR-së, kufizimet perëndimore ndaj këtij rrjeti mbeten “të fragmentuara” dhe “të pakoordinuara”. Nga 21 furnitorët kryesorë të Rassvet, vetëm pesë janë nën sanksionet perëndimore. Edhe kur një kanal furnizimi futet në listën e zezë, shfaqet një zëvendësues, zbuloi CDR.
Këshilltari i presidentit ukrainas, Serhii Beskrestnov, tha javën e kaluar se Rusia mund ta aktivizojë Rassvet “shumë shpejt” dhe se arsyeja e vetme pse nuk po e përdor ende në Ukrainë është se kjo do të kërkonte llogaritjen e trajektores së fluturimit në një zonë ku dritaret kohore janë vetëm 30 minuta.
Zak, nga RussianSpaceWeb, tha se infrastruktura e lëshimeve në orbitë dhe ajo tokësore mbeten të cenueshme gjatë fazës së vendosjes së sistemit, por pasi ai të jetë plotësisht funksional, “situata do të jetë shumë më e vështirë”.
Sipas analistëve, SHBA-ja nuk mund ta ndalojë thjesht Rassvet që të transmetojë sinjale mbi Ukrainë, ndërsa bllokimi i sinjaleve është i kushtueshëm dhe ka shtrirje të kufizuar. Rrëzimi i satelitëve do të ishte “vetëvrasës për të gjithë”, për shkak të mbetjeve që do të krijoheshin në orbitë, tha Vitaly Egorov, ekspert rus i çështjeve hapësinore.