60% e punonjësve kanë një “armik” në punë, si të përballoni konfliktet

Rreth 60% e punonjësve kanë të paktën një person që e konsiderojnë “armik” në vendin e punës. Sipas një sondazhi të vitit 2019, të realizuar nga platforma britanike e punësimit Totaljobs me mbi 7 mijë punonjës, 43% e të anketuarve kishin më shumë se një koleg me të cilin ishin në konflikt, ndërsa pothuajse 10% i konsideronin shumicën e kolegëve si armiq.
Por ekziston një mënyrë e pazakontë për t’i përballuar këto marrëdhënie: imagjinoni sikur jeta juaj në punë është një serial komik.
Në një artikull për Entrepreneur, Timm Chiusano, autor dhe trajner i inteligjencës emocionale, sugjeron që situatat e vështira në punë të shihen nga këndvështrimi i një komedie televizive, ku secili koleg është një personazh me veçoritë dhe dobësitë e veta.
Sipas tij, një perspektivë e tillë ndihmon për të mos i përjetuar konfliktet si sulme personale dhe për të ruajtur kontrollin mbi reagimet emocionale.
Çdo zyrë ka një “Newman”
Chiusano merr si shembull personazhin Newman nga seriali i njohur Seinfeld, kundërshtarin e përhershëm të personazhit kryesor, Jerry Seinfeld.
Megjithëse të dy nuk e durojnë njëri-tjetrin, janë të detyruar të ndërveprojnë, sepse jetojnë në të njëjtën ndërtesë dhe kanë miq të përbashkët. Pikërisht marrëdhënia e tyre konfliktuale krijon disa nga situatat më komike të serialit.
Sipas autorit, pothuajse të gjithë kemi një “Newman” në jetën profesionale: një koleg që na irriton, kundërshton vazhdimisht idetë tona ose përpiqet të kufizojë ndikimin tonë.
Në vend që ta shohim këtë person vetëm si burim tensioni, mund ta trajtojmë si një personazh me tipare të parashikueshme, madje edhe interesante.
Nga kundërshtar në personazh komik
Autori sjell shembullin e një kolegeje hipotetike, Barbara, e cila përdor komunikim pasiv-agresiv, ka temperament të vështirë dhe përpiqet të kontrollojë projektet duke minimizuar rolin e të tjerëve.
Në një këndvështrim tradicional, Barbara është një kundërshtare që krijon stres.
Por, nëse shihet si personazh i një seriali komik, perceptimi ndryshon. Temperamenti i saj bëhet i parashikueshëm, mënyra e komunikimit merr një dimension humoristik, ndërsa cilësitë pozitive, si inteligjenca dhe përkushtimi ndaj ekipit, bëhen më të dukshme.
Madje, mundësia për ta kthyer një marrëdhënie konfliktuale në bashkëpunim mund të shihet si një zhvillim interesant i historisë.
Nuk kontrollojmë kolegët, por reagimet tona
Chiusano shpjegon se e ka përdorur këtë qasje për vite me radhë, si me kolegët më miqësorë, ashtu edhe me ata më të vështirë.
Duke i parë marrëdhëniet profesionale si pjesë të një historie, ai arriti të ulte ndikimin emocional të konflikteve dhe të ruante më shumë energji për çështjet që kishin rëndësi.
Mesazhi kryesor është se nuk mund të zgjedhim gjithmonë sjelljen e njerëzve përreth nesh, por mund të zgjedhim mënyrën se si e interpretojmë atë.
Në vend që tensionet e zyrës të përcaktojnë humorin dhe produktivitetin tonë, mund t’i shohim me më shumë distancë dhe humor. / Entrepreneur
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









