Vendosni fjalën kyçe....

“Akt mizor, shteti të kujdeset për të jo ta ndëshkojë” – Bardhi për gjobën 5 milionëshe ndaj adoleshentit


Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi e quan çnjerëzor, mizor dhe të papranueshëm gjobitjen e një adoleshenti për pjesëmarrje në protestë.

Ai shkruan se shteti ka detyrimin ta mbrojë fëmijën dhe jo ta gjobisë a frikësojë. Bardhi i bën kreut të Policisë së Shtetit Hitaj të heqë gjobën duke braktisur për një çast shërbimin e verbër ndaj kryeministrit Rama.

“Të gjobisësh me 5 milionë lekë një fëmijë jetim, vetëm pse ka marrë pjesë në një protestë, nuk është thjesht një akt i paligjshëm, por një akt çnjerëzor, mizor dhe thellësisht i papranueshëm.

Shteti ka detyrimin të kujdeset për këtë fëmijë, ta mbrojë dhe t’i garantojë të drejtat e tij, jo ta gjobisë, ta frikësojë apo ta ndëshkojë në mënyrë arbitrare.

Duke e dënuar me forcën më të madhe këtë akt antihuman, i bëj thirrje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që, qoftë edhe për pak sekonda, të lërë mënjanë bindjen dhe shërbimin politik ndaj Edi Ramës, të revokojë gjobën e vendosur ndaj këtij fëmije dhe të tregojë, të paktën një herë, se në ushtrimin e detyrës së tij ka mbetur ende një grimcë njerëzillëku.

Sepse policia duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, jo në shërbim të pushtetit. Dhe shteti nuk duhet të kthehet kurrë në instrument frikësimi dhe ndëshkimi ndaj më të pambrojturve.” – shkruan Bardhi.