Egnatia vazhdon të konfirmojë forcën e saj në Superiore. Kampionët në fuqi dhuruan një tjetër paraqitje bindëse, duke mposhtur Vorën me rezultatin e thellë 5-1 në ndeshjen që mbylli javën e 11-të të kampionatit. Me këtë sukses, skuadra e drejtuar nga Nevil Dede merr arratinë në krye të renditjes, duke u shkëputur nga ndjekësit.
Rrogozhinasit e nisën ndeshjen me synimin për të marrë tri pikët dhe arritën të zhbllokonin rezultatin në minutën e 35-të. Pas një aksioni të gjatë të vendasve, Kryeziu lëshoi një goditje të fortë dhe të saktë tokazi, duke mposhtur portierin Harizaj për 1-0.
Në pjesën e dytë, Vora provoi të rikthehej në lojë dhe pati disa momente të rrezikshme, ndërsa në minutën e 69-të arriti të barazonte shifrat. Një gabim i Bitrit dhe dalja e portierit Tandilashvili krijuan mundësinë për Karricën, i cili goditi nga një distancë e konsiderueshme dhe dërgoi topin në rrjetë për 1-1.
Megjithatë, gëzimi i miqve zgjati shumë pak. Vetëm katër minuta më vonë, Adjesa përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe, fare pranë portës, riktheu avantazhin e Egnatias në 2-1.
Pas këtij momenti, vendasit morën plotësisht kontrollin e lojës. Në minutën e 80-të, Fernando finalizoi në mënyrë perfekte një kundërsulm të shpejtë, duke dalë i vetëm përballë Harizajt dhe duke çuar rezultatin në 3-1.
Spektakli vazhdoi edhe në minutën e 85-të, kur Kasa mori përsipër një goditje nga distanca. Futbollisti i Egnatias lëshoi një predhë të fuqishme me të majtën, duke realizuar një tjetër gol të bukur për 4-1.
Festën e vendasve e kompletoi Albanese në minutën e 90-të. Ai provoi gjithashtu nga jashtë zonës dhe mposhti Harizajn, duke vulosur shifrat përfundimtare 5-1.
Një fitore bindëse për Egnatian, e cila jo vetëm konfirmon momentin e shkëlqyer, por edhe dërgon një mesazh të qartë për rivalët në garën për titullin kampion.
© SYRI.net
VIDEO/ Ernest Muçi magjeps Turqinë, shqiptari dhuron një asist spektakolar, por Salah e shpërdoron
Flick zbulon formacionin e Barcelonës ndaj Atletico Madridit, ja kush zë vendin e Rodrit
Norris triumfon në Brazil, Verstappen spektakolar me rikuperimin nga vendi i fundit! Antonelli rrezikon penaliziminBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: