Bassuener: Perëndimi dështoi ta kushtëzojë Serbinë për Kosovën, Kushtetuta e Koshtunicës synonte delegjitimimin e pavarësisë

Analisti gjerman i politikave për Ballkanin Perëndimor, Kurt W. Bassuener, ka kritikuar qasjen e vendeve perëndimore ndaj Serbisë në raport me Kosovën, duke vlerësuar se ato kanë humbur mundësinë për të kushtëzuar Beogradin për shkak të politikave të tij ndaj pavarësisë së Kosovës.
Në një intervistë për Telegrafin, bashkëthemeluesi i Këshillit për Politika të Demokratizimit (DPC) ka thënë se Kushtetuta e Serbisë e vitit 2006, e njohur si Kushtetuta e Koshtunicës, ishte hartuar në mënyrë që paraprakisht të delegjitimonte pavarësinë e Kosovës.
Sipas tij, kjo kushtetutë u miratua në një kohë kur po hartohej Plani i Ahtisaarit, i cili synonte të përcaktonte mënyrat e mbrojtjes së të drejtave të serbëve në Kosovë.
Bassuener ka vlerësuar se Perëndimi nuk reagoi në mënyrë të duhur ndaj kësaj qasjeje të Beogradit, duke mos e shfrytëzuar procesin e integrimit evropian si mekanizëm presioni ndaj Serbisë.
“Perëndimi e lejoi këtë të kalonte pa reagim, në vend që të shprehte qartë se një qasje e tillë do të ishte pengesë për aspiratat e Serbisë për anëtarësim në BE”, ka deklaruar ai.
Analisti ka theksuar se hapësira për një qasje më realiste politike ndaj Kosovës në Serbi ka qenë më e madhe në të kaluarën sesa sot, për shkak të forcimit të diskursit nacionalist ndër vite.
Ai ka përmendur periudhën e viteve 2001 dhe 2006–2008, duke vlerësuar se në atë kohë ekzistonin më shumë mundësi për realizëm politik lidhur me çështjen e Kosovës.
“Fatkeqësisht, nuk mund të mohohet se në Serbi kishte më shumë hapësirë dhe mundësi për realizëm politik në vitin 2001, madje edhe në vitet 2006–2008, sesa sot, për shkak të diskursit nacionalist gjithnjë e më të tensionuar lidhur me Kosovën”, ka thënë Bassuener.
Sipas tij, edhe mjedisi gjeopolitik ishte shumë më i favorshëm në atë periudhë, ndërsa sot çështja e Kosovës është bërë një nga sfidat më të vështira për çdo ndryshim të mundshëm të politikës së Beogradit.
Duke folur për Serbinë pas Aleksandar Vuçiqit, Bassuener ka paralajmëruar se largimi i presidentit aktual nga pushteti nuk do të sjellë domosdoshmërisht një ndryshim thelbësor të qasjes ndaj Kosovës.
Ai ka theksuar se qëndrimi i shteteve kryesore anëtare të Bashkimit Evropian mund të luajë rol të rëndësishëm në ndërtimin e një marrëdhënieje të re dhe më të shëndoshë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Bassuener ka kërkuar më shumë sinqeritet dhe qartësi nga të gjitha palët, në vend të tolerimit të vazhdueshëm të qasjeve që pengojnë normalizimin e marrëdhënieve.





































