Një shtetase italiane nga Torino i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar trajtimin dentar që thotë se ka marrë në klinikën “Radiance Dental Hospital” në Tiranë, për të cilin pretendon se ka paguar në total rreth 7 mijë euro.
Ajo tregon se pas ndërhyrjeve dhe vendosjes së implanteve është kthyer në Itali me dhimbje në të gjithë gojën. Sipas saj, gjatë përgatitjes së dhëmbëve për vendosjen e kurorave janë dëmtuar rrënjët dhe disa prej kurorave nuk kanë qëndruar, ndërsa pretendon se implantet janë vendosur me cementim. Për shkak të problemeve që thotë se ka pasur, ajo është detyruar t'i drejtohet një klinike tjetër në Itali për të riparuar punën dhe të paguajë sërish.
Italiania pretendon se nuk është rikthyer më në Radiance, pavarësisht se i ishte propozuar të shkonte për kontroll, pasi kishte humbur besimin te klinika. Ajo ngre pikëpyetje edhe për kartelën dentare, e cila, sipas saj, është e paplotë dhe nuk mban emrin e firmën e një mjeku përgjegjës. Në komunikimet me redaksinë përmend edhe emra personash që pretendon se kanë kryer ndërhyrjet, duke ngritur dyshime për kualifikimin dhe regjistrimin profesional të njërit prej tyre. Këto pretendime kërkojnë verifikim të dokumentacionit dhe të regjistrave përkatës.
Në denoncim përmendet edhe Maria Lapa, të cilën qytetarja e lidh me turizmin dentar. Ajo pretendon se dokumenti i garancisë që i është dhënë prej saj nuk ka vulën e klinikës dhe as firmën e pacientes, ndërsa thotë se nuk dihet se kush e ka firmosur. Në një tjetër komunikim, ajo ankohet se pagesa iu kërkua menjëherë, ndërsa për faturën iu tha se mund të lëshohej brenda 30 ditëve.
Qytetarja pretendon gjithashtu se është përpjekur të denoncojë rastin në Shqipëri, por policia nuk ia ka pranuar kallëzimin. Sipas saj, ambasada e ka orientuar të kërkojë ndihmë ligjore, ndërsa Urdhri i Stomatologut i ka kërkuar pagesë. Ajo thotë se disponon fatura, transferta bankare, kartelën dentare, dokumentin e garancisë dhe komunikime që lidhen me rastin.
JOQ Albania është e hapur për reagimin e klinikës dhe çdo pale tjetër të përmendur, për të dhënë versionin e tyre mbi rastin.