Mbreti Charles III udhëhoqi ceremoninë solemne të së Dielës së Përkujtimit (Remembrance Sunday) në Londër, në nderim të ushtarëve dhe veteranëve që kanë humbur jetën në konflikte të ndryshme ndër vite.
Në një mëngjes të ftohtë vjeshte, monarku britanik vendosi një kurorë me lule në Cenotaph, monumentin e luftës në Uhitehall, përpara se të mbahej dyminutëshi i heshtjes në orën 11:00, në kujtim të të rënëve. Ceremonia u shoqërua më pas nga parakalimi i rreth 10 mijë veteranëve të forcave të armatosura.
Një prej momenteve më prekëse të aktivitetit ishte pjesëmarrja e 12 veteranëve të Luftës së Dytë Botërore, një numër gjithnjë e më i vogël për shkak të kalimit të viteve. Vitin e kaluar në këtë ceremoni kishin marrë pjesë 20 veteranë të kësaj lufte.
Mes tyre ishte edhe 103-vjeçarja Annie Duplock, e cila mori pjesë për herë të parë. Ajo kishte shërbyer në Land Army, një organizatë që ndihmoi në furnizimin me ushqime të Britanisë gjatë luftës. Në vitin 1940, kur ishte vetëm 16 vjeçe, ajo ishte regjistruar duke fshehur moshën e saj dhe kishte punuar në një fermë në Leicestershire.
“Jam shumë e nderuar që marr pjesë në këtë parakalim dhe përfaqësoj vajzat e Land Army. Jam e emocionuar, megjithëse edhe pak në ankth, pasi nuk e di saktësisht çfarë të pres. Mendoj se do të jetë një ditë shumë emocionuese, që do të rikthejë kujtimet për të gjithë ata që nuk u kthyen më në shtëpi”, u shpreh ajo.
Në ceremoninë e këtij viti morën pjesë edhe një numër rekord ish-kryeministrash britanikë. Nëntë prej tyre u rreshtuan për të vendosur kurora me lule, ndërsa kryeministri aktual Andy Burnham mori pjesë për herë të parë nën këtë cilësi.
Për herë të parë në këtë ceremoni mori pjesë edhe lideri i Reform UK, Nigel Farage, i cili tashmë ka numrin e nevojshëm të deputetëve në Parlament për të përfaqësuar partinë në këtë aktivitet zyrtar.
Në mesin e familjes mbretërore ishin edhe Princi Uilliam dhe Princesha Anne, ndërsa Mbretëresha Camilla dhe Princesha e Uellsit, Kate Middleton, ndoqën ceremoninë nga ballkoni i ndërtesës së Ministrisë së Jashtme britanike. Të pranishëm ishin gjithashtu drejtues të lartë ushtarakë, politikanë, diplomatë dhe përfaqësues të komuniteteve fetare.
Në orën 11:00, tingujt e parë të Big Ben-it shënuan nisjen e dy minutave të heshtjes. Rrugët zakonisht të zhurmshme të kryeqytetit britanik u ndalën, ndërsa Mbreti Charles qëndroi me sytë mbyllur në një moment reflektimi dhe përkujtimi.

Parakalimi përfshiu përfaqësues të rreth 340 organizatave ushtarake dhe civile, mes tyre Shoqata e Marinës Mbretërore, Shoqata e Marinsave Mbretërorë dhe shërbime të ndryshme publike. Në mesin e pjesëmarrësve kishte edhe veteranë me aftësi të kufizuara, të cilët lëviznin me karroca elektrike, si dhe familjarë që ndihmonin ata që ndodheshin në karrige me rrota.
Kryeministri Andy Burnham e cilësoi këtë ditë si një mundësi për të reflektuar mbi vetëmohimin dhe guximin e atyre që kanë sakrifikuar jetën për të mbrojtur të tjerët. Ai njoftoi gjithashtu se synon të trajtojë problemin e të pastrehëve mes ish-ushtarakëve, duke deklaruar se çdo veteran që fle në rrugë duhet të pajiset me strehim të përshtatshëm përpara Krishtlindjeve.
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Legjionit Mbretëror Britanik, Mark Atkinson, theksoi se ceremonia është një moment për të nderuar të gjithë ata që kanë shërbyer dhe sakrifikuar, nga brezat e kaluar deri te ushtarakët që janë ende në detyrë.
Aktivitete përkujtimore u zhvilluan edhe në qytete të tjera të Britanisë së Madhe. Në Edinburg, kryeministri i Skocisë, John Suinney, vendosi një kurorë me lule pranë monumentit të përkujtimit, ndërsa veteranë, ushtarakë dhe kadetë parakaluan në qytete si Manchester, Birmingham dhe Leeds.
Ceremoni të tjera u mbajtën në Katedralen e Durhamit dhe atë të Canterbury-t. Veçmas, edhe Princi Harry mori pjesë në një shërbesë përkujtimore në qytetin Brackley, në Northamptonshire.
