Një video e pazakontë nga Clearwater, Florida, është bërë virale në rrjetet sociale, ku një grua shihet duke vrapuar pas makinës së saj, pasi kishte harruar ta vendoste në parkim dhe e kishte lënë në marsh.
Automjeti nis të lëvizë vetë, ndërsa gruaja përpiqet disa herë ta arrijë dhe të futet sërish brenda për ta ndaluar. Por makina duket se ka plane të tjera. Në pamje ajo shihet duke vrapuar pas saj, derisa rrëzohet dhe, në fund, duket se dorëzohet, ndërsa automjeti vazhdon rrugën dhe përfundon në një kanal.
Por arsyeja që e çoi në këtë situatë është edhe më e pazakontë. Gruaja, e identifikuar si Tiffany, ka treguar se gjithçka nisi në një pikë të “McDonald's”, kur një ketër doli papritur nga koshi i mbeturinave dhe u hodh brenda makinës së saj përmes dritares së hapur.
E trembur nga kafsha, ajo doli me nxitim nga automjeti, duke harruar se e kishte lënë ende në marsh dhe jo në pozicionin e parkimit. Kështu, makina nisi të lëvizte pa të.
Gjatë përpjekjeve për ta ndaluar, automjeti i kaloi sipër këmbës përpara se të përfundonte në kanal. Fatmirësisht, sipas rrëfimit të saj, gruaja pësoi vetëm disa mavijosje të lehta.
Në fund, duket se ajo e kuptoi se nuk kishte më çfarë të bënte dhe vendosi ta linte makinën të vazhdonte rrugën e saj. Me sa duket, ketri i shkaktoi më shumë probleme sesa mund ta kishte imagjinuar!