Ekonomia shqiptare pritet të prodhojë më shumë dhe të gjenerojë më tepër të ardhura në vitin 2027. Për herë të parë Prodhimi Kombëtar pritet të kalojë vlerën e 30 miliardë eurove, me rritje prej 1.5 miliardë euro në raport me vitin aktual 2026, i cili pritet të mbyllet me PBB, afro 29 miliardë euro.

Viti 2026          29 mld euro
Viti 2027       30.5 mld euro
Viti 2028       32.1 mld euro
Viti 2029       33.8 mld euro

Ky projeksion mbështetet në pritshmëritë ambicioze për rritjen ekonomike, për procesin e integrimit. Por as viti tjetër nuk ka një ‘dritë jeshile’ për të nxjerrë bujqësinë nga kriza.

“Në periudhën afatmesme 2027-2029, rritja parashikohet të ruajë trajektore pozitive, me një normë mesatare prej rreth 4.0% në vit, e mbështetur nga dinamika e kërkesës së brendshme, zhvillimi i mëtejshëm i sektorëve strategjikë dhe pritshmëritë për një rikuperim gradual të ekonomisë globale dhe veçanërisht atë të Bashkimit Evropian”, thuhet në relacion.

Sa i takon sektorëve, qeveria parashikon që sektori i shërbimeve, i mbështetur nga turizmi dhe teknologjia e informacionit, të jetë nxitësi kryesor i rritjes ekonomike, me kontribut 2.8% në rritjen e përgjithshme ekonomike. Më tej është ndërtimi me kontribut vjetor 0.4%, ndjekur nga industria me ndikim 0.2%. Ndërsa bujqësia thuhet në relacionin e projektbuxheti rritet me vetëm 0.2%, pa dhënë ndikim në rritjen e përgjithshme ekonomike.

SEKTORËT QË DO RRISIN EKONOMINË
Shërbimet     2.8%
Ndërtimi       0.4%
Industria       0.2%
Bujqësia          0%

Si rezultat i kësaj ecurie pozitive, më shumë para pritet të futin në xhepin e tyre edhe qytetarët. Të ardhurat për frymë gjatë 2027-ës, thotë Ministria e Financave do të arrijnë në 12.889 euro nga 12.199 euro këtë vit. Pra një shtesë prej 687 euro më shumë në vitin e ardhshëm.

TË ARDHURAT PËR FRYMË
Viti 2026     12,199 euro
Viti 2027     12,886 euro
Diferenca       +687 euro

E përkthyer në terma mujore, projektohet që të ardhurat për frymë të jenë 1,073 euro në muaj, ose rreth 35 euro dita.

Në relacionin e projektbuxhetit thuhet se rritja graduale e pagave, në kushtet e një inflacioni të stabilizuar, pritet të stimulojnë të ardhurat reale të disponueshme të individëve.

Sa i takon borxhit publik, pritet të ulet në 52.4% të PBB-së në 2027-ën nga 52.5% i pritur për këtë vit. Ndërsa në vlerë do të arrijë në 16.9 miliardë euro me kursin aktual, praktikisht, bazuar në këto shifra, borxhi për frymë/banor vitin tjetër do të jetë 7,257 euro.