Një organizatë kriminale, e përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, është goditur nga autoritetet italiane në kuadër të një operacioni të gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave. Rrjeti dyshohet se operonte në Shqipëri, Itali, Holandë dhe Gjermani, ndërsa fitimet miliona euroshe nga aktiviteti kriminal transferoheshin drejt Shqipërisë.
Sipas mediave italiane, operacioni i koduar “Caveau 38” u zhvillua nga Guardia di Finanza në Lecco, nën drejtimin e Drejtorisë së Antimafias në Milano dhe në bashkëpunim me SPAK-un në Tiranë.
Nga hetimet dyshohet se gjatë viteve 2019–2022, grupi ka trafikuar rreth 240 kilogramë kokainë nga Shqipëria drejt Italisë, ndërsa mbi 14 milionë euro të përfituara nga aktiviteti kriminal janë mbledhur dhe dërguar në Shqipëri.
Në kuadër të hetimeve janë identifikuar 52 persona nën hetim dhe janë arrestuar në flagrancë gjashtë të dyshuar. Gjatë operacionit janë sekuestruar mbi 1.5 milion euro cash dhe rreth 32 kilogramë lëndë narkotike, përfshirë kokainë, heroinë dhe kanabis.
Një nga mekanizmat e përdorur për pastrimin e parave dyshohet se ishte blerja e arit. Hetuesit kanë zbuluar se organizata kishte siguruar rreth 8 kilogramë lingota ari përmes një kompanie të përpunimit të metaleve të çmuara. Paralelisht, një tjetër kompani në zonën e Lecco-s dyshohet se shërbente për fshehjen e fitimeve përmes investimeve në pasuri të paluajtshme.
Të dyja kompanitë janë vendosur nën sekuestro preventive, ndërsa komunikimi mes anëtarëve të dyshuar realizohej përmes aplikacioneve të enkriptuara. Transporti i drogës dhe parave kryhej me automjete dhe kamionë të pajisur me hapësira të fshehta.
Hetimet nisën pas kontrolleve për shitjen e drogës në zonat e Cernusco Lombardone dhe Merate, por më pas çuan në zbulimin e një rrjeti shumë më të gjerë ndërkombëtar, që dyshohet se kishte ngritur një mekanizëm të mirëorganizuar për trafikimin e narkotikëve dhe pastrimin e miliona eurove në disa shtete evropiane.