E diel, 8 Nëntor 2026 Safir deri në 18:00 Në vijim ora 18:00: Diagnozë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 54 minuta më parë
Sport

Tronditet futbolli/ 20-vjeçari humb jetën në aksident, 8 vite më parë vdiq edhe motra

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin e Santenas në Itali, ku 20-vjeçari Edoardo Caparelli ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë automobilistik në Buriasco, në provincën e Torinos.

I riu i cili aktivizohej në futboll si portier me San Luigi Santena, udhëtonte së bashku me dy miq me një automjet tip “Lancia Y”, pasi kishin shkuar për të ndjekur një ndeshje volejbolli. Udhëtimi i tyre përfundoi në tragjedi, kur makina u përplas ballë për ballë me një automjet tip BMW SUV.

Përplasja ishte tepër e fortë. Edoardo u nxor nga rrënojat e makinës nga ekipet e zjarrfikësve në gjendje kritike, me dëmtime të rënda në kokë dhe në fytyrë. Fillimisht u transportua në spitalin Agnelli në Pinerolo dhe më pas u transferua në Qendrën e Traumës në Torino (CTO), por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 20-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve. Zemra e tij pushoi së rrahuri mëngjesin e sotëm.

Një tragjedi që bëhet edhe më e dhimbshme për shkak të historisë së familjes.

Reklamë

Tetë vite më parë, në vitin 2018, familja Caparelli kishte humbur edhe vajzën e saj, Francesca, e cila ndërroi jetë në moshën 15-vjeçare pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.

Pas asaj humbjeje të dhimbshme, Edoardo dhe vëllai i tij më i madh, Matteo, kishin vendosur të krijonin shoqatën “Francesca Caparelli Odv”, në kujtim të motrës së tyre. Organizata kishte si qëllim ndërgjegjësimin për sëmundjet onkologjike, promovimin e një jetese të shëndetshme dhe nxitjen e dhurimit të gjakut, organeve, palcës së kockës dhe flokëve, me synimin për të shpëtuar jetë njerëzish.

Lajmi për vdekjen e të riut ka shkaktuar tronditje të madhe në Santena. Kryetari i bashkisë, Roberto Ghio, ka bërë të ditur se synon të shpallë zi qytetare në ditën e ceremonisë mortore.

“E gjithë komuniteti është pranë familjes Caparelli. Edoardo ishte një djalë i artë, sapo kishte përfunduar shkollën dhe luante futboll në ekipin e oratorit, ku ishte portier”, është shprehur kryebashkiaku, me zërin e thyer nga emocionet.

Ai kujtoi gjithashtu kontributin e familjes përmes shoqatës, me të cilën bashkia kishte bashkëpunuar në organizimin e aktiviteteve për të rinjtë dhe festivalit vjetor të dhurimit.

Një udhëtim mes miqsh, që duhej të ishte një ditë e bukur argëtimi, u kthye në një tjetër dhimbje të papërshkrueshme për familjen Caparelli. Një histori që ka prekur të gjithë komunitetin dhe që rikthen në vëmendje brishtësinë e jetës.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.