Tentoi të qëllonte me pistoletë gjatë sherrit në Vlorë, arrestohet 34-vjeçari
Një konflikt mes dy personave në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë ka përfunduar me arrestimin e një 34-vjeçari, i cili dyshohet se ka tentuar të përdorë armë zjarri gjatë përplasjes. Gjatë ndërhyrjes, policia i gjeti dhe i sekuestroi edhe një përforcues metalik grushti.
I arrestuari është Mario Meçanaj, ndërsa ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 20:50, në vendin e quajtur “Rrapi”, në lagjen “Uji i Ftohtë”. Sipas të dhënave paraprake, 34-vjeçari është përfshirë në një konflikt për motive të dobëta me E. H., 41 vjeç, banues në Tiranë.
Përplasja u konstatua nga shërbimet e Policisë së Vlorës gjatë patrullimit në zonë. Efektivët ndërhynë për të parandaluar agravimin e situatës, por në momentin e ndërhyrjes Meçanaj tentoi të largohej me vrap. Ai u kap dhe u neutralizua nga punonjësit e policisë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se gjatë konfliktit 34-vjeçari ka tentuar të përdorë një pistoletë, të cilën më pas e ka hedhur në rërë, në afërsi të vendit ku u ndalua nga efektivët. Arma u gjet nga policia dhe u sekuestrua si provë materiale.
Kontrollet vijuan edhe në automjetin e të arrestuarit, ku uniformat blu zbuluan një tjetër send të kundërligjshëm, një përforcues metalik grushti, i cili gjithashtu u sekuestrua.
Operacioni policor që çoi në arrestimin e 34-vjeçarit u kodua “Yacht”. Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Vlorës për vijimin e veprimeve hetimore dhe ligjore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



