Pasi u bënë të famshëm për grabitjet e shtëpive në Greqi, Itali, Spanjë dhe Francë ata që janë pagëzuar si skifterët shqiptarë, tashmë e kanë zhvendosur aktivitetin kriminal në Britaninë e Madhe. Në javën që po lëmë pas 5 shqiptarë, janë dënuar në shtetin ishull si të përfshirë në grabitje shtëpish. Sipas njoftimit të policisë së Kentit në Jug të Anglisë, të cilit i referohet Top Channel, shqiptari Dionis Doku është dënuar me 3 vite dhe 10 muaj burg për një seri grabitjesh. Detektivët që hetuan nëntë grabitje shtëpish prej 45 vjeçarit nga Sanxhaku i Krujës arritën të identifikonin ADN-në e tij në një shishe me spraj antibakterial, të cilën ai e kishte përdorur për të pastruar vendin e ngjarjes. Dionis Doku vodhi çanta të markave luksoze dhe bizhuteri me vlerë mbi gjysmë milioni paund nga 9 prona në Kent, Londër, Buckinghamshire dhe Surrey. Ndërsa ndodheshin në zonë për të mbledhur pamjet e disponueshme nga kamerat e sigurisë (CCTV), patrullat e policisë e vunë re Dokun në një stacion autobusi në Uxbridge Road dhe e arrestuan.