Rusia po vë në shënjestër vazhdimisht centralet, fabrikat, portet dhe linjat hekurudhore të Ukrainës, duke goditur ekonominë e vendit.
Sipas CNN, presidenti Vladimir Putin e ka përshkallëzuar këtë strategji ndërsa forcat ruse përballen me vështirësi në frontin lindor. Javën e ardhshme pritet të zhvillohen bisedime të reja për paqen, me ndërmjetësimin e SHBA-së.
Të lidhura
None found
Raketat dhe dronët kanë goditur centrale elektrike, porte, hekurudha, uzina çeliku dhe infrastrukturën që përdoret për eksportin e drithërave.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se, vetëm natën e fundit, më shumë se 600 mijë banorë të rajonit të Dnipropetrovskut mbetën pa energji. Deri të shtunën, ngrohja mungonte në rreth 40% të ndërtesave të Kievit.
Të dhënat e organizatës ACLED tregojnë se numri i sulmeve ruse në Ukrainë u rrit nga 3,650 në janar në 5,532 në tetor. Gjatë vitit 2026, sulmet ruse kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 2,700 civilëve ukrainas.
John Lough, ekspert në qendrën kërkimore New Eurasian Strategies Centre në Londër, i tha CNN se Moska po vepron me synimin për të shkatërruar ekonominë ukrainase. Sipas tij, Putini ka arritur në përfundimin se shtimi i trupave nuk do t’i mundësojë fitoren në Donbas dhe se po përpiqet ta gjunjëzojë Ukrainën duke goditur ekonominë e saj.
Një komision i pavarur hetimor i OKB-së ka konstatuar se sulmet e qëllimshme ruse ndaj infrastrukturës civile përbëjnë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, akuzoi Moskën se synon t’i lërë miliona njerëz pa energji, ngrohje dhe ujë. Ai tha se Rusia po kërkon të arrijë përmes të ftohtit e errësirës atë që nuk ia ka dalë ta arrijë në fushën e betejës.
Ekspertët paralajmërojnë se dimri mund ta thellojë krizën humanitare. Ndërkohë, dëmtimi i infrastrukturës energjetike dhe i industrisë po ushtron trysni gjithnjë më të madhe mbi ekonominë e Ukrainës.








