Tregu amerikan i punës ka regjistruar një ecuri më të mirë se pritshmëritë gjatë muajit tetor, me 165 mijë vende të reja pune të krijuara dhe një rënie të normës së papunësisë në 4.1%. Shifra e punësimit tejkaloi ndjeshëm parashikimet e ekonomistëve, të cilët prisnin rreth 65 mijë vende të reja pune.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, norma e papunësisë u ul nga 4.2% në shtator në 4.1% në tetor, ndërsa numri i personave pa punë arriti në rreth 7.1 milionë. Kontributin kryesor në rritjen e punësimit e dhanë shërbimet profesionale dhe të biznesit, me 70 mijë vende të reja pune. Sektori i shëndetësisë shtoi 42 mijë vende pune, ndërsa transporti dhe magazinimi shënuan gjithashtu rritje.
Edhe të dhënat e muajve të mëparshëm u rishikuan në rritje. Për muajin gusht u shtuan 53 mijë vende pune në vlerësimin e mëparshëm, ndërsa për shtatorin 31 mijë të tjera. Pavarësisht përmirësimit, disa tregues vijojnë të sinjalizojnë vështirësi. Numri i personave që punojnë me kohë të pjesshme për arsye ekonomike u rrit me 339 mijë, duke arritur në 4.8 milionë.
Ndërkohë, pagat mesatare për orë u rritën me 0.4% gjatë tetorit, duke arritur në 38 dollarë, ndërsa në bazë vjetore rritja ishte 3.1%. Rezultatet pozitive të punësimit i japin Rezervës Federale më shumë hapësirë për t’u përqendruar te lufta kundër inflacionit. Megjithatë, rritja e kostove të energjisë dhe tensionet në Lindjen e Mesme mbeten faktorë shqetësues për ekonominë amerikane.













