“Kisha frikë nga skleroza”, ish-sulmuesi i Juventusit dhe Milanit rrëfen betejën me depresionin: Shkova në terapi, çdo gjashtë muaj… Lazio ka marrë një barazim 1-1 në transfertën ndaj Napolit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 11-të të Serie A, duke ruajtur vendin e parë në renditje.
Kryeqytetasit kaluan në avantazh në pjesën e parë me Frattesin, ndërsa Napoli riktheu baraspeshën në fraksionin e dytë falë një autogoli të Pedraza-s.
Pjesa e parë ishte e luftuar dhe me pak raste të pastra shënimi. Napoli u përpoq të rrezikonte përmes Lang, i cili ishte ndër lojtarët më aktivë në sulm, por pa arritur të konkretizonte. Kur dukej se skuadrat do të shkonin në pushim me rrjeta të paprekura, Lazio goditi në minutën e 28-të.
Noslin dha një pasim të shkëlqyer në thellësi për Frattesin, i cili u shkëput në kohën e duhur, fitoi duelin me Rrahmanin dhe mposhti portierin Milinkovic-Savic, duke kaluar miqtë në avantazh.
Në pjesën e dytë, Napoli u shfaq me një tjetër ritëm dhe arriti të barazonte shumë shpejt. Në minutën e 48-të, pas një krosimi të Lang, Pedraza ndërhyri përpara Hojlund dhe McTominay, por në përpjekje për të larguar topin e dërgoi atë në portën e tij.
Vendasit vijuan presionin në kërkim të golit të fitores. McTominay provoi të mposhtte Mandas, ndërsa rasti më i pastër erdhi në minutën e 59-të, kur De Bruyne u gjend përballë portierit të Lazios, por shpërdoroi një mundësi të artë për të përmbysur rezultatin.
Pavarësisht përpjekjeve të Napolit deri në fund, rezultati nuk ndryshoi dhe të dyja skuadrat u ndanë nga një pikë.
Me këtë barazim, Lazio shkon në kuotën e 29 pikëve dhe vazhdon të kryesojë e vetme Serie A, me dy pikë më shumë se Roma. Ndërkohë, Napoli ngjitet në kuotën e 15 pikëve dhe mban vendin e dhjetë në klasifikim. Interi, që pret Comon, ka mundësinë të afrohet në një pikë nga kreu në rast fitoreje.
Top Channel