Prokuroria e Elbasanit ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale mbi 300 tonë pluhur industrial të përftuar nga procesi i prodhimit në Uzinën e Ferrokromit në pronësi të kompanisë “Albchrome sh.p.k.”,.
Bëhet fjalë për mbetjet e kapura nga sistemi i pluhurkapëseve, të cilat, sipas një raporti të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), rezultojnë tepër të rrezikshme.

Në dokumentet e organit të akuzës thuhet se sekuestrimi është kryer pasi kjo sasi mbetjesh konsiderohet e domosdoshme për vërtetimin e fakteve që janë objekt i hetimit penal.

Për shkak të natyrës së materialit, prokurorët kanë vendosur që mbetjet të qëndrojnë në ruajtje pranë vetë subjektit “Albchrome” sh.p.k., i cili ka detyrimin t’i ruajë dhe t’i paraqesë ato sa herë të kërkohen nga organi procedues.
Largimi i administratores në mes të hetimit
Ndërsa Prokuroria ka ndërhyrë me sekuestrimin e mbetjeve dhe vijon hetimet për përgjegjësitë e mundshme penale, në strukturën drejtuese të “Albchrome” ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm.
Teuta Üstündağ, e cila mbante postin e administratores kryesore që prej shtatorit të vitit të kaluar, është larguar zyrtarisht nga detyra, duke përmbyllur marrëdhënien e saj me kompaninë ditën e premte.

Rreth dy muaj më parë, grupi turk Yildirim, që kontrollon kompaninë, kishte emëruar si bashkëadministrator Selim Sevgen, gjithashtu shtetas turk. Ky i fundit tashmë ka marrë drejtimin e kompanisë.
Largimi i Üstündağ ndodh në një moment kritik për kompaninë, pasi hetimet për depozitimin e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme janë në zhvillim.
Organet e akuzës po vijojnë verifikimet për të përcaktuar përgjegjësitë e personave që kanë drejtuar dhe administruar aktivitetin e uzinës gjatë periudhës kur janë konstatuar shkeljet.
Skandali mjedisor dhe shkeljet e konstatuara
Skandali u bë publik më 28 maj, kur Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit pezulloi aktivitetin e kompanisë, pasi gjatë kontrolleve në uzinë evidentoi 318 tonë mbetje të rrezikshme, të depozituara në ambiente të hapura dhe pa kushtet e nevojshme të sigurisë.

Nga verifikimet rezultoi se kompania nuk dispononte kontrata transferimi për evadimin, asgjësimin apo përpunimin e kësaj sasie mbetjesh.
Ndërkohë, në raportin e saj, Agjencia Kombëtare e Mjedisit i klasifikoi materialet si mbetje me rrezikshmëri të lartë.
Pluhuri industrial, i grumbulluar nga filtrat e oxhaqeve të uzinës, ishte depozituar në qiell të hapur, pa masa të përshtatshme izolimi dhe mbrojtjeje nga agjentët atmosferikë.
Sipas konstatimeve zyrtare, kjo situatë përbën një rrezik serioz për mjedisin dhe shëndetin e banorëve të zonës.
Pasoja për shëndetin e popullatës
Thithja e pluhurit dhe konsumi i ujit të ndotur shkaktojnë direkt kancer të mushkërive, si dhe rritin ndjeshëm rrezikun për kancer të stomakut, mëlçisë dhe veshkave.
Përveç rrezikut tumoral, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtyre mbetjeve shkakton dëmtime të rënda të rrugëve respiratore si bronkit kronik dhe fibroza të pakthyeshme si dhe mbart veti mutagjene që dëmtojnë direkt ADN-në, duke shfaqur rreziqe serioze riprodhuese për gratë shtatzëna.
Së fundmi, përdorimi i thjeshtë i ujit të kontaminuar provokon pezmatim të rëndë të lëkurës (dermatit), alergji të forta mjedisore dhe ulçera të hapura dermale që kurohen me mjaft vështirësi.













