Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar raportin e fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke e cilësuar atë si një pasqyrim të realitetit dramatik të vendit dhe një goditje të drejtpërdrejtë ndaj qeverisë së Edi Ramës. Gjatë deklaratës së tij, Berisha akuzoi kryeministrin dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku për korrupsion dhe bllokim të drejtësisë, ndërsa pretendoi se raporti i KE-së konfirmon shqetësimet e ngritura prej opozitës.
Sipas Berishës, raporti evidenton problematikat e zgjedhjeve, të cilat, sipas tij, nuk përmbushën standardin e barazisë mes palëve në garë. Ai akuzoi gjithashtu Ramën dhe parlamentin për bllokimin e zbatimit të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa e cilësoi Ballukun si një nga figurat kryesore të kritikuara në raport.
“Raporti i Komisionit Europian, në çdo rresht, në çdo paragraf, Padrino dhe organizata e tij kriminale merrnin nga një damkë të zezë”, u shpreh Berisha, duke përdorur etiketime të ashpra ndaj kryeministrit dhe qeverisë.
Lideri i opozitës tha se raporti mbështet, sipas interpretimit të tij, protestat kundër qeverisë dhe denoncon rënien e prodhimit në Shqipëri, ligjet që favorizojnë klientelën dhe problematikat në prokurimet publike. Në këtë pikë, Berisha u ndal te të dhënat për tenderat, duke pretenduar se anulimi i 38% të procedurave, fitimi i 25% të tyre me vetëm një ofertë dhe fakti që rreth 30% e tenderave janë fituar me vlerën më të lartë dëshmojnë për abuzime me fondet publike.
Ai akuzoi gjithashtu familjarë të kryeministrit dhe persona të lidhur me ta për përfitime nga procedurat e prokurimit, duke përmendur emrat e Armand Frangut dhe AKSHI-t.
Berisha u ndal edhe te roli i opozitës në hartimin e raportit, duke deklaruar se PD-ja ka ndihmuar në sjelljen në Shqipëri të misioneve faktmbledhëse të Parlamentit Evropian dhe Partisë Popullore Evropiane (EPP).
“Opozita ia doli të bindë dhe të sjellë në Shqipëri misionin faktmbledhës të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, i cili hartoi një raport që është pasqyruar në tërësi plotësisht në raportin e Komisionit Europian”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se opozita ka përmbushur detyrën e saj në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë, por theksoi se mbetet ende punë për t’u bërë për atë që e cilësoi si zbërthimin e mëtejshëm të “narkoshtetit” dhe të ndikimit të krimit në vend.
Berisha: Java ishte një javë tejet e trishtë për narkoregjimin e Padrinos së Shqipërisë. Raporti i Komisionit Europian që është dhe raporti më i rëndësishëm për procesin më kryesor të Shqipërisë, avancimin e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian, këtë vit ishte si asnjë vit më parë.
Këtë vit raporti pasqyronte në tërësi në aspekte tërësore realitetin dramatik të Shqipërisë.
Në raport, në çdo rresht, në çdo paragraf, Padrino dhe organizata e tij kriminale merrnin nga një damkë të zezë.
Sipas raportit, zgjedhjet nuk plotësuan kriterin më themelor ndërkombëtar të zgjedhjeve të lira, barazinë e palëve në garë dhe u ndërthurën me ndikime nga më të ndryshmet.
Raporti denoncon Edi Ramën dhe parlamentin për bllokimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Por në mënyrë të veçantë si strumbullari i zi në këtë raport qëndron Lubi Rama, t’ia heqim atë mbiemër Balluku ose ta quajmë Edvin Balluku, me vjedhjet e saj të pallogaritshme së bashku me Palloshin e Gjatë dhe 81 mandatet e krimit që bllokuan drejtësinë, bllokuan arrestimin e saj.
Raporti i jep një mbështetje protestave të fuqishme kundër narkoregjimit, sikundër denoncon rënien e prodhimit në Shqipëri, denoncon ligjet e klientelës dhe kërkon anulimin e menjëhershëm të tyre.
Shpartallon siç është me denoncimet e tij prokurimet publike dhe fakton indirekt se ajo që thotë opozita se në 13 vite, nga rreth 72 miliardë euro taksa dhe tatime në total, Edi Rama, organizata e tij kriminale dhe lukunia e tij ka vjedhur dhe ka shpërdoruar të paktën 50 miliardë.
Po ku e thotë këtë?
Lexoni çfarë thotë për prokurimet. 38 përqind e prokurimeve anulohen. Dihet pse anulohen, kur ata që janë në tender nuk pranojnë pazare paraprake, tenderi gjithnjë anulohet.
25 përqind e tenderave, thotë raporti, fitohen me një garë.
Ai që fiton me një garë me tendera sekretë më shumë se çdokush tjetër është familja Rama, Armand Frangu, kunati i dashur i Linda Ramës dhe baxhanaku që shndërroi AKSHI-n në kopshtin privat të Edi Ramës.
Pra ai, me procedura sekrete me një ofertë është numri një në Shqipëri.
Raporti për prokurimet publike thotë se rreth 30 përqind e tenderave janë fituar me shumën më të lartë.
Me shumën më të lartë sepse ajo shuma më e lartë do të thotë që paratë ndahen midis tenderuesit dhe tenderfituesit.
Pra në historinë e raporteve të Komisionit Europian, ky raport damkos në mënyrë përfundimtare Edi Ramën, dhe unë falënderoj Komisionin Europian për raportin e tij, por theksoj këtu jashtë modestisë se opozita ka luajtur rolin e saj.
Se opozita ia doli të bindë dhe të sjellë në Shqipëri misionin faktmbledhës të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, i cili hartoi një raport që është pasqyruar në tërësi plotësisht në raportin e Komisionit Europian.
Opozita ia doli të sjellë në Shqipëri si mision faktmbledhës misionin e EPP-së të përbërë nga përfaqësues të 30 partive, shumica e të cilëve sot janë në pushtet.
Pra jemi mirënjohës por jemi gjithashtu krenarë sepse kemi bërë detyrën tonë në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë.
Mbetet prapë punë për t’u bërë, mbetet punë veçanërisht për zbërthimin e mëtejshëm të narkoshtetit dhe Shqipërisë si protektorat krimi, problemi më madhor, ndër më madhorët në tërë historinë tonë.
ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE
