Izraeli po përgatitet për formimin e një qeverie të re pas zgjedhjeve parlamentare. Presidenti Isaac Herzog do t'i japë zyrtarisht sot mandatin për krijimin e qeverisë liderit të partisë Yashar, Gadi Eisenkot, i cili ka siguruar mbështetjen e 67 deputetëve. Ndërkohë, Benjamin Netanyahu ka marrë mbështetjen e 46 deputetëve.

Sipas mediave izraelite, drejtuesit e Bllokut të Ndryshimit pritet të shpallin një marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit izraelit, Knesset, përpara betimit të deputetëve të rinj të martën.

Gazeta izraelite Haaretz raporton se partia arabe Ra'am, e cila ka tetë deputetë, do të mbështesë një qeveri të drejtuar nga Eisenkot. Ndërkohë, Lista e Përbashkët Arabe, me 11 deputetë, nuk do të votojë në favor të tij, por as nuk do të përpiqet të rrëzojë qeverinë e Bllokut të Ndryshimit. Deputetët e saj pritet të abstenojnë.

Pas takimit me presidentin Herzog, Eisenkot deklaroi se kishte ardhur koha për formimin e një qeverie të emergjencës kombëtare.

“Tani është koha për të formuar një qeveri të emergjencës kombëtare. Do të bëj gjithçka për të siguruar që të jemi të denjë”, shkroi ai.

Edhe aleati i tij në Bllokun e Ndryshimit, Yair Golan, u zotua se do të bëjnë gjithçka për ta mbajtur Netanyahun jashtë pushtetit, duke e akuzuar kryeministrin aktual se po përpiqet të delegjitimojë zgjedhjet.

“Netanyahu e kupton se këtë herë është jashtë. Ai e sheh qeverinë e ndryshimit duke marrë formë dhe ka frikë. Pas vitesh nxitjeje të urrejtjes, përçarjeje dhe përpjekjesh për të delegjitimuar bllokun e ndryshimit, papritur kujtohet për unitetin. Ky është panik politik, një përpjekje për mbijetesë nga dikush që e kupton se sundimit të tij po i vjen fundi”, deklaroi Golan.

Ai premtoi se qeveria e re do të punojë për t'i dhënë fund sundimit të Hamasit, për të rikthyer sigurinë e qytetarëve izraelitë, për të forcuar demokracinë dhe për të hetuar atë që e cilësoi si katastrofën më të rëndë në historinë e vendit.

Eisenkot, ish-shef i ushtrisë izraelite dhe drejtues i partisë së qendrës Yashar, do të ketë deri në gjashtë javë kohë për të negociuar me aleatët dhe për të siguruar shumicën parlamentare që do të mundësonte zëvendësimin e Netanyahut në postin e kryeministrit.

Sipas rezultateve të mbështetjes parlamentare, Eisenkot ka marrë përkrahjen e 67 deputetëve: 48 nga partitë opozitare Yashar, Together, Demokratët dhe Yisrael Beiteinu, tetë nga Ra'am dhe 11 nga Lista e Përbashkët.

Nga ana tjetër, Netanyahu ka marrë mbështetjen e 46 deputetëve, megjithëse blloku i tij i djathtë fitoi 53 vende në zgjedhje. Shtatë deputetët e partisë ultraortodokse UTJ nuk e mbështetën kandidaturën e tij, duke zgjedhur të abstenojnë.