Drejtoresha e organizatës Women for Women, Iliriana Jaka Gashi, ka ndarë historinë e një familjeje në Kosovë, e cila nga vështirësitë ekonomike dhe problemet emocionale arriti të krijojë një biznes të suksesshëm në bujqësi, duke siguruar të ardhura për të gjithë familjen.

E ftuar në episodin e nëntë të podcastit “Rrugëtimi”, me redaktoren Jehona Hulaj, Jaka Gashi ka folur për historitë e grave që kanë përfituar nga programet e organizatës, duke theksuar se ndryshimet pozitive në jetën e tyre kanë qenë një nga motivet kryesore që e kanë mbajtur në këtë angazhim për 15 vjet.


Ajo ka treguar se gjatë kësaj periudhe është përballur me shumë histori të vështira, por edhe me raste që dëshmojnë se si mundësia për të punuar mund të ndikojë në mirëqenien e një familjeje.

“Ka momente prekëse, por ka edhe shumë momente motivuese”, është shprehur ajo.

Një nga rastet që i ka mbetur në kujtesë lidhet me një grua, e cila për shkak të rrethanave ekonomike nuk kishte mundësi të punonte, ndërsa bashkëshorti i saj po kalonte një periudhë të rënduar emocionale.

“Ajo nuk ka mujt me punu, burri ka qenë në një depresion të thellë”, ka rrëfyer Jaka Gashi.

Sipas saj, ndryshimi kishte filluar në momentin kur gruaja ishte angazhuar në punë.

“Në momentin që ajo ka fillu me punu, ai i është bashkëngjitë”, ka treguar drejtoresha e Women for Women.

Jaka Gashi ka thënë se përfshirja në aktivitetin ekonomik kishte ndikuar pozitivisht edhe në gjendjen e bashkëshortit, ndërsa çifti kishte vazhduar të punonte së bashku.

“Ai ka dalë prej depresionit”, ka deklaruar ajo, duke iu referuar përvojës së familjes.

Me kalimin e kohës, bashkëshortët kishin arritur të krijonin një biznes në sektorin e bujqësisë.

Jaka Gashi ka treguar se gruaja e kishte vizituar organizatën rreth një muaj para intervistës dhe kishte ndarë me stafin rezultatet e punës së tyre.

“Kanë kriju një biznes në bujqësi”, ka thënë ajo, duke shtuar se gruaja u kishte treguar që biznesi tashmë siguronte fitime me mijëra euro.


“Ka fitim me mijëra euro, punojnë të dytë, tash ju ndihmojnë dhe fmit se janë rritë”, ka rrëfyer Jaka Gashi.

Sipas saj, historia është një shembull se si fuqizimi ekonomik i një gruaje mund të ndikojë jo vetëm në jetën e saj, por edhe në stabilitetin dhe mirëqenien e familjes.

Duke folur për punën e organizatës, Jaka Gashi ka shpjeguar se Women for Women nuk fokusohet vetëm në aftësimin profesional të grave, por edhe në krijimin e mundësive për punësim dhe vetëpunësim.

Ajo ka treguar se organizata mbështet edhe gratë që tashmë kanë themeluar biznese ose janë në fazat fillestare të zhvillimit të tyre.

Sipas saj, zotërimi i një zanati nuk është gjithmonë i mjaftueshëm për të siguruar suksesin e një biznesi.

Për këtë arsye, gratë mbështeten në hartimin e planeve të biznesit, mentorim, marketing, menaxhim dhe zhvillimin e aftësive digjitale.

Jaka Gashi ka bërë të ditur se organizata ka ofruar edhe grante deri në 10 mijë euro në sektorin e bujqësisë, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë.

Ajo ka theksuar se qëllimi është që gratë jo vetëm të fillojnë një aktivitet ekonomik, por të kenë aftësitë e nevojshme për ta zhvilluar dhe mbajtur atë në mënyrë të qëndrueshme.

Për Jaka Gashin, histori si ajo e familjes që krijoi biznesin në bujqësi janë ndër dëshmitë më domethënëse të ndikimit që mund të ketë fuqizimi ekonomik i grave.

Intervistën e plotë me Iliriana Jaka Gashin mund ta ndiqni më poshtë. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com