Një tërmet me magnitudë 5.7 ka goditur Japoninë qendrore në orët e para të së dielës, duke shkaktuar të paktën 20 të plagosur dhe pezullimin e disa shërbimeve hekurudhore.
Sipas mediave japoneze, lëndime janë raportuar në prefekturat Aichi dhe Shizuoka, ndërsa autoritetet lokale po ndjekin situatën pas lëkundjeve të forta.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë bëri të ditur se epiqendra e tërmetit ishte në pjesën perëndimore të prefekturës Shizuoka, në një thellësi prej rreth 40 kilometrash. Pas lëkundjeve nuk u dha asnjë paralajmërim për cunami.
Tërmeti konsiderohet më i forti që ka goditur prefekturën Aichi në afro 30 vjet. Megjithatë, sipas operatorit Chubu Electric Power Co, në centralin bërthamor Hamaoka, në Shizuoka, nuk janë konstatuar anomali.
Për shkak të lëkundjeve, autoritetet pezulluan përkohësisht disa linja lokale hekurudhore, ndërsa në jugperëndim të vendit, në prefekturën Kumamoto, u regjistrua një tjetër tërmet me magnitudë 4.3.
Japonia është ndër vendet më aktive sizmikisht në botë, pasi ndodhet në të ashtuquajturën Unaza e Zjarrit të Paqësorit, në zonën ku takohen katër pllaka kryesore tektonike. Vendi përballet vazhdimisht me aktivitet sizmik, ndërsa më 28 korrik, prefektura Kumamoto u godit nga një tërmet me magnitudë 7.1.

