Vendosni fjalën kyçe....

Oslo ndriçohet nga arti i dritës, festivali ndërkombëtar përcjell mesazhe paqeje



Kryeqyteti i Norvegjisë, Oslo, po mirëpret edicionin e pestë të festivalit ndërkombëtar të artit të dritës në hapësira të hapura, “Fjord Oslo”. Këtë vit, veprat artistike të krijuara nga artistë të vendeve të ndryshme i kushtohen temës së paqes, duke ndriçuar ndërtesa, hapësira publike dhe Qendrën e Çmimit Nobel për Paqen, përcjell Euronews.

Festivali zhvillohet në disa zona të qytetit dhe synon të nxisë reflektimin mbi kuptimin e paqes përmes artit dhe përvojave të përbashkëta. Veprimtaria është pjesë e projektit kulturor evropian “IMAGINE PEACE”, i financuar nga Bashkimi Evropian, dhe trajton tema si lufta, qëndrueshmëria, liria dhe bashkëjetesa.

Organizatorja dhe artistja e dritës, Anastasia Isachsen, tha se zhvillimi i festivalit në Oslo, qytetin ku jepet Çmimi Nobel për Paqen, i jep një domethënie të veçantë këtij projekti. Ajo u shpreh se synimi është të përcillet një mesazh i fortë për paqen, duke e trajtuar atë jo vetëm në nivel ndërkombëtar, por edhe në përditshmërinë dhe përvojën personale të individëve.

Artisti kroat Marko Bolkovic tregoi se ekipi i tij u kërkoi njerëzve në gjashtë vende të përkufizonin paqen me një fjalë të vetme. Ndër përgjigjet e marra ishin fjalë si “babai”, “miqësia”, “nëna” dhe “miqtë”, duke treguar se paqja lidhet edhe me marrëdhëniet dhe ndjesitë personale.

Vizitorët e festivalit ndanë gjithashtu këndvështrimet e tyre mbi ndikimin që mund të ketë arti. Norvegjezi Ulrich Lauridsen u shpreh se arti nuk mund ta ndalë drejtpërdrejt një luftë, por mund të nxisë më shumë njerëz të dëshirojnë fundin e konflikteve, pasi jeta është shumë e çmuar për t’u humbur në luftëra.

Ndërsa vizitorja nga Kenia, Faith Imani, e lidhi paqen kryesisht me lirinë: të largohesh, të ekzistosh dhe të bashkëjetosh me të tjerët, si dhe të kesh mundësinë të lëvizësh dhe të jetosh i lirë në botë.