Tërmet i fortë në Japoni, të paktën 22 të plagosur (VIDEO)
Një tërmet i fortë ka goditur Japoninë qendrore në orët e para të së dielës, duke shkaktuar panik te banorët, dëme materiale dhe të paktën 22 persona të plagosur, raportojnë mediat lokale.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë e vlerësoi tërmetin me magnitudë 5.7.
Pas lëkundjes kryesore janë regjistruar edhe disa pasgoditje.
Pamjet e transmetuara nga televizionet japoneze treguan vitrina të thyera dyqanesh dhe copëza xhamash të shpërndara në rrugë. Në një librari, qindra libra kishin rënë nga raftet, duke mbuluar dyshemenë.
Tërmeti u regjistrua në orën 01:04 të mëngjesit, me kohën lokale.
Ndërkohë, Agjencia Meteorologjike e Japonisë u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë ditëve në vijim, pasi ekziston mundësia e tërmeteve të tjera të forta, veçanërisht gjatë dy ose tre ditëve të ardhshme.
Japonia ndodhet në një zonë me aktivitet të lartë sizmik dhe përballet shpesh me tërmete. Autoritetet u bëjnë vazhdimisht thirrje qytetarëve të mbajnë rezerva me ujë, ushqime dhe bateri, si dhe të kenë një plan emergjence për t’u mbrojtur në rast lëkundjesh të forta.




