Ndërsa studentët dhe qytetarët vijojnë protestën në rrugë, duke kërkuar përballje dhe përgjigje për shqetësimet e tyre, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur një tjetër mënyrë për t’iu përgjigjur thirrjeve për dialog: përmes internetit.
Pas ftesës për të diskutuar rreth një “sofre” të vendosur para Kryeministrisë, Rama duket se e ka zhvendosur këtë herë tryezën e bisedimeve në botën virtuale.
Ai ka publikuar linkun e platformës së re “Fol me KM”, ku qytetarët mund të dërgojnë pyetje, kritika, shqetësime dhe propozime.
“Mirëmëngjes dhe me pasqyrën e Dialogut në telefonin apo kompjuterin tuaj, ju uroj një të diel të paqtë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Pra, përballë një proteste që zhvillohet në rrugë dhe kërkon përgjigje nga qeveria, kryeministri ofron një dritare komunikimi në ekran.
Në vend të një përballjeje të drejtpërdrejtë me studentët dhe qytetarët që protestojnë, dialogu tashmë mund të zhvillohet me disa klikime.













