Shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar përmbytje masive në Rripin e Gazës, duke përmbytur rreth 70 mijë tenda ku strehohen palestinezët e zhvendosur nga lufta. Mijëra familje kanë mbetur në kushte të rënda, ndërsa me afrimin e dimrit rritet frika për përhapjen e sëmundjeve dhe humbjen e jetëve nga i ftohti.
Banorët janë detyruar të largojnë ujin nga tendat me tenxhere dhe tiganë, ndërsa shumë prej tyre kanë humbur edhe strehimin e fundit që kishin. Përfaqësuesi i UNICEF-it për Palestinën, Jonathan Veitch, e cilësoi situatën si të tmerrshme dhe paralajmëroi se mungesa e furnizimeve dhe kufizimet për hyrjen e pajisjeve të nevojshme po e përkeqësojnë krizën.
Sipas tij, punonjësit humanitarë përballen çdo ditë me banorë që u kërkojnë ndihmë në rrugë, ndërsa pothuajse e gjithë popullsia ka nevojë për mbështetje urgjente. Ai paralajmëroi se, nëse nuk ndërhyhet menjëherë, Gaza mund të përballet sërish me viktima nga hipotermia gjatë dimrit.
Rreth 90% e popullsisë së Gazës është zhvendosur nga lufta, ndërsa qasja në ujë të pastër, kanalizime dhe strehim mbetet tejet e kufizuar. Situata rëndohet edhe nga mungesa e tendave, mushamave dhe materialeve plastike për mbrojtjen nga shiu, si pasojë e shkurtimeve të fondeve të OKB-së.
“Fëmijët e mi më pyesin se ku do të flemë sonte dhe unë nuk kam përgjigje”, rrëfeu 34-vjeçarja Maryam Odeh për agjencinë AFP, duke përshkruar kushtet dramatike në të cilat jeton me fëmijët e saj.
Ndërkohë, një tjetër banor, Khaled al-Najjar, tha se familjet kanë frikë jo vetëm nga përmbytjet, por edhe nga të ftohtit dhe sëmundjet që mund të përhapen në kampet e zhvendosjes.
Autoritetet lokale raportojnë gjithashtu shembje muresh dhe dëmtime çative, të cilat kanë shkaktuar disa të plagosur, mes tyre edhe persona në gjendje kritike.
Pavarësisht armëpushimit të hyrë në fuqi në tetor 2025, sulmet ajrore izraelite kanë vijuar, ndërsa negociatat për zbatimin e planit të paqes të ndërmjetësuar nga administrata Trump kanë ngecur. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga fillimi i luftës më 7 tetor 2023, janë vrarë 74,594 persona.
