“AlbChrome” NA HELMOI ME 318 TONË MBETJE/ Prokuroria sekuestron helmin që ka vite që vret Shqiptarët

Prokuroria e Elbasanit ka vendosur sekuestrimin e 318 tonëve mbetje industriale në Uzinën e Ferrokromit të kompanisë AlbChrome, në kuadër të një hetimi penal për ndotje mjedisore. Kompania është vënë zyrtarisht nën hetim, ndërsa aktiviteti i saj është pezulluar nga organi i akuzës.

Materiali i grumbulluar nga sistemi i pluhurkapësve do të mbahet në ruajtje nga vetë kompania, me detyrimin për ta ruajtur dhe për ta paraqitur sa herë të kërkohet nga organi procedues. Sipas dokumenteve të cituara në media, vendimi është marrë më 6 nëntor.
Sekuestrimi pason konstatimet për administrimin e 318 tonëve mbetje, të cilat, sipas raportimeve mbi kontrollin e IKMT-së, depozitoheshin pa kushtet e nevojshme të sigurisë.
Inspektorati kishte pezulluar aktivitetin më 28 maj, pasi kompania nuk dispononte kontratë për transferimin, asgjësimin ose përpunimin e kësaj sasie.
Hetimet janë ndërmarrë pas një raporti të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Sipas përmbajtjes së raportit pluhurat industriale ishin grumbulluar prej vitesh në ambiente të hapura, pa masa të përshtatshme mbrojtëse. AKM i ka vlerësuar si mbetje me rrezikshmëri të lartë dhe me përbërës potencialisht kancerogjenë. Për çështjen është ngritur një grup me tre prokurorë dhe dy hetues.
Çfarë përfaqëson AlbChrome?
AlbChrome operon në nxjerrjen dhe përpunimin e kromit, me minierën e Bulqizës dhe uzinat e ferrokromit në Burrel e Elbasan. Sipas historikut zyrtar të kompanisë, ajo kaloi te grupi BALFIN në vitin 2013 dhe u ble në janar 2022 nga Yılmaden Holding, pjesë e grupit turk YILDIRIM.
Në raportin vjetor për vitin 2022, grupi YILDIRIM deklaronte se AlbChrome kishte nisur ndërhyrje në furra, filtrimin e gazeve dhe ndërtimin e një strukture për mbajtjen e pluhurave. Këto deklarime për investime mjedisore paraprijnë konstatimet e raportuara tashmë për mënyrën e depozitimit të mbetjeve në Elbasan.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply