Gjykata britanike ka rrëzuar kërkesën e shqiptarit Igli Hazizaj për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar, duke i hapur rrugë dëbimit të tij drejt Shqipërisë.
Në vendimin e gjykatës kanë ndikuar edhe fotografitë e dorëzuara nga ish-partnerja e tij, të cilat kanë vënë në dyshim pretendimet e shqiptarit se ishte viktimë e trafikimit.
Sipas raportimit të medias britanike Manchester Evening News, Hazizaj kishte pretenduar se ishte dërguar me forcë në Britani dhe ishte detyruar të punonte në ambiente ku kultivohej kanabis, për shkak të një borxhi që babai i tij kishte ndaj një grupi kriminal në Shqipëri. Ai kishte deklaruar se kishte frikë të kthehej në vendlindje.
Por këto pretendime janë kundërshtuar gjatë shqyrtimit të çështjes. Një nga provat e paraqitura në gjykatë ishin fotografitë e siguruara nga ish-partnerja e tij. Në to, shqiptari shfaqej në momente të ndryshme të jetës së çiftit: duke i propozuar për martesë në Mançester, në festën e beqarisë në Uells dhe në ceremoninë e diplomimit të saj në Suonsi, gjatë vitit 2024.
Gjykata mori në konsideratë edhe të dhënat e udhëtimeve të tij, të cilat tregonin se Hazizaj kishte udhëtuar drejt Shqipërisë dhe ishte larguar sërish prej saj. Këto të dhëna nuk përputheshin me pretendimin e tij se mbahej i mbyllur dhe nën kontrollin e trafikantëve në Britani.
Pas shqyrtimit të provave, gjyqtari Chris Cole arriti në përfundimin se historia e trafikimit e treguar nga Hazizaj ishte e sajuar. Për këtë arsye, gjykata rrëzoi apelin e tij kundër dëbimit.
I dënuar për kultivimin e kanabisit
Igli Hazizaj ishte dënuar në shkurt të vitit 2025 për përfshirje në organizimin e kultivimit të kanabisit në Britani. Sipas dosjes gjyqësore, ai kishte pasur rol në menaxhimin e tre banesave në qytetin e Karlajlit, të cilat ishin përshtatur për kultivimin e drogës. Aktiviteti kriminal vlerësohej se mund të gjeneronte mbi 2 milionë paund në vit.
Në dhjetor të vitit 2025, autoritetet britanike morën vendimin për dëbimin e tij, por Hazizaj e kundërshtoi këtë masë përmes një ankimi në gjykatë, duke pretenduar se ishte viktimë e trafikimit dhe se kthimi në Shqipëri do ta vinte në rrezik.
Shqiptari kishte edhe një tjetër dënim në Shqipëri. Ai ishte dënuar me nëntë muaj burg pasi ishte kapur në aeroportin e Tiranës duke tentuar të udhëtonte drejt Barcelonës me një pasaportë greke të falsifikuar.
Seanca për shqyrtimin e ankimit u zhvillua më 28 tetor në Mançester, por Hazizaj nuk ishte i pranishëm. Me rrëzimin e kërkesës së tij, vendimi për dëbimin drejt Shqipërisë mbetet në fuqi.













