Qytetarët edhe të shtunën nisën marshimin e tyre nëpër qytet duke kërkuar që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare. Nëpër Prishtinë përgjatë marshimit u lexuan letrat e Arlinda Zekajt, gruas që u vra më 25 tetor, e të cilat ua kishte drejtuar institucioneve duke kërkuar ta mbronin. Para ministrisë së Drejtësisë, u kërkuan shkarkimet dhe ndjekjet penale të zyrtarëve shtetëror që neglizhuan rastin e 49-vjeçares. Marshimi i protestuesve vazhdoi drejt Këshillit Prokurorial të Kosovës, për të ndaluar më pas edhe para policisë. Drejtësi për Erona Coklin, e vrarë gjatë 2024 në institucion shtetëror, por edhe për gratë e tjera të vrara, kërkoi vëllai i saj.