Cigarja e pronarit shkakton zjarr në Lezhë, disa banorë përfundojnë në spital
Një zjarr i rënë në një apartament në lagjen “Skënderbeg” të Lezhës ka shkaktuar panik mes banorëve të pallatit, duke detyruar ndërhyrjen e Policisë dhe shërbimeve zjarrfikëse për evakuimin e tyre.
Ngjarja u regjistrua pasditen e kësaj të shtune, rreth orës 16:30, në banesën e një shtetasi me inicialet A. L. Sipas dyshimeve paraprake të hetuesve, shkak për shpërthimin e flakëve është bërë një cigare e lënë e ndezur nga vetë pronari i apartamentit.
Zjarri shkaktoi dëme materiale në banesë, ndërsa tymi u përhap edhe në ambientet e përbashkëta të pallatit, duke krijuar rrezik për jetën dhe shëndetin e banorëve.
Përballë situatës, efektivët e Policisë dhe zjarrfikësit ndërhynë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të nxjerrë banorët nga ndërtesa, duke shmangur pasoja potencialisht më të rënda.
Gjatë incidentit, disa prej banorëve shfaqën shenja asfiksimi për shkak të tymit dhe u transportuan drejt Spitalit Rajonal të Lezhës për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas informacionit zyrtar, të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, pronari i banesës, A. L., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë, ku po kryhen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e rrethanave dhe përcaktimin e saktë të shkakut të zjarrit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



