Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar vizita te tre punonjës policie të dëmtuar gjatë ushtrimit të detyrës, dy prej të cilëve u plagosën me thikë gjatë një ndërhyrjeje në Malësinë e Madhe, ndërsa një tjetër mbeti i lënduar gjatë protestës në Shkodër.
Në Malësinë e Madhe, Hita takoi inspektorët Hilmi Smajlaj dhe Samet Bajri, pjesë e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë së këtij rrethi. Dy efektivët u plagosën gjatë ndërhyrjes për ndalimin e një shtetasi gjerman në fshatin Pjetroshan, pas një njoftimi se ky i fundit kishte sulmuar me benzinë automjetin e një qytetari.
Gjatë takimit, Hita vlerësoi guximin dhe profesionalizmin e dy punonjësve, duke theksuar se, pavarësisht plagosjes, ata nuk u tërhoqën dhe arritën të neutralizonin personin.
“Dua t’ju përgëzoj për guximin, profesionalizmin dhe vendosmërinë që treguat në përmbushjen e detyrës, në një situatë me rrezik të lartë për jetën tuaj dhe të qytetarëve. Pavarësisht se u plagosët gjatë ndërhyrjes, ju nuk u tërhoqët dhe arritët të neutralizonit personin, duke parandaluar pasoja edhe më të rënda. Për këtë keni gjithë vlerësimin dhe mirënjohjen time, por ju siguroj se keni fituar edhe vlerësimin e qytetarëve, besimi i të cilëve është shumë i rëndësishëm në misionin tonë”, u shpreh Hita.
Më tej, ai vizitoi në banesë edhe nënkomisarin Fasli Rama, i cili u plagos gjatë protestës së zhvilluar në Shkodër. Hita vlerësoi kontributin e tij prej më shumë se 30 vitesh në Policinë e Shtetit dhe i uroi shërim të shpejtë.
“Askush s’do të donte ta mbyllte karrierën me një episod të tillë, por të jesh krenar, pasi nuk ishe aty kundër qytetarëve dhe as kundër protestës paqësore, por për të garantuar të drejtën e çdo qytetari për të protestuar në mënyrë paqësore dhe për të mbrojtur institucionet, pronën publike e private nga çdo akt dhune”, deklaroi drejtori i Policisë.
Nga ana e tij, nënkomisar Fasli Rama falënderoi Hitën për mbështetjen dhe interesimin, duke bërë të ditur se gjendja e tij është përmirësuar dhe se ndodhet drejt rikuperimit të plotë. Ai vlerësoi gjithashtu kujdesin e mjekëve të Spitalit të Traumës.

